Aktualitet

Çmimi i naftës vetëm rritet, Rama tallet me qytetarët: Do mbrojmë pensionistët

Teksa çmimi i naftës vijon të rritet në tregun shqiptar, për kryeministrin Edi Rama prioritet është mbrojtja e pensionistëve.

Rama deklaroi se është ngritur një task-forcë për monitorimin e tregut dhe se nuk janë evidentuar abuzime, megjithëse çmimi i naftës ka shënuar rritje. Si përgjigje, qeveria ka vendosur të aktivizojë Bordin e Transparencës dhe të ulë përkohësisht akcizën.Ai shtoi se të ardhurat shtesë që do të gjenerohen nga rritja e çmimeve do të përdoren për të mbështetur pensionistët, duke e cilësuar këtë kategori si më të rrezikuarën.

Megjithatë, kjo qasje ngre disa pikëpyetje mbi efektivitetin dhe drejtësinë e politikës së ndjekur. Në Shqipëri, ndryshe nga shumë vende europiane, një pjesë e madhe e pensionistëve nuk zotërojnë automjete dhe nuk janë përdorues të drejtpërdrejtë të karburanteve. Për rrjedhojë, ndikimi i drejtpërdrejtë i çmimit të naftës mbi këtë kategori është i kufizuar.

Nga ana tjetër, shtresat aktive të shoqërisë, punonjësit, bizneset e vogla, transportuesit dhe familjet që përdorin automjete, janë më të ekspozuara ndaj rritjes së çmimeve të karburanteve. Këto kategori përballen çdo ditë me kosto më të larta transporti dhe jetese, por nuk përmenden si prioritet në deklaratat e kryeministrit.

“Në të njëjtën kohë është marrë edhe një vendim tjetër për të ndërhyrë me një masë të përkohshme, gjë që po e bëjnë edhe vende tjera në akcizën e naftës, duke i bërë asaj një ulje me rreth 20 %, në mënyrë që të lehtësohet, si të thuash, disi barra mbi përdoruesit e automjeteve. Por ndërkohë, dua ta them shumë, shumë qartë, që në fund të ditës, ajo që ne na intereson e para është që të mbrojmë pensionistët, që do të thotë se në këtë rast, niveli i rritur i përfitimit që do të vijë në arkën e shtetit nga rritja e çmimit, cilidoqoftë ai, pas uljes që iu bë akcizës, do të shkojë vetëm për të mbrojtur pensionistët, vetëm për të mbështetur pensionistët.”, tha Rama.

Kryeministri paralajmëroi futjen në treg të një faktori publik të ri, që synon të ndikojë në krijimin e një ekuilibri të çmimeve dhe rritjen e transparencës në tregun e naftës në Shqipëri.

Sipas tij, kjo ndërhyrje do të synojë edhe luftën ndaj evazionit dhe kontrabandës së naftës, përfshirë abuzimet me regjimin e tranzitit.