Sport

Dalipi gati te Vora: Egnatia nuk na tremb, kërkojmë maksimumin

Përballë Egnatias duket se Vora do të jetë disi e plotë. Me një grup ku lojtarët janë në gjendje të mirë. Dhe një nga këto është mesfushori me tipare mbrojtëse që u ndje shumë mungesa e tij në linjën e djathtë të Vorës kundër Vllaznisë, nga ku dhe pësoi atë gol që i humbi pikën vorakëve në atë përballje.

Themi kështu sepse në ndeshjen e javës së 14-të po kundër Vllaznisë ai ishte më i miri në fushë, duke u zgjedhur në formacionin më të mirë të Superiores për atë javë. Rikthimi tij shihet si një ogur mirë përballë Egnatias. Për “Panorama Sport” ai dha këtë intervistë të shkurtër.

Çfarë synon Vora kundër Egnatias dhe si po përgatitet skuadra për këtë takim?

Vora si gjithmonë para çdo ndeshje futet në lojë vetëm për fitore, ndërkohë që rrethanat e lojës, janë ato që vendosin rezultatin në përfundim të saj. Edhe ndaj Egnatias hyjmë për fitore dhe për të dalë me maksimumin e pikëve nga kjo përballje. Skuadra po përgatitet sa më mirë si në anën individuale fizike të lojtarëve, po ashtu edhe në aspektin teknikotaktik me grupin.

Sa i besueshëm është Dalipi për ekipin?

Besimi që më është dhënë, për të qenë pjesë e formacionit, më ka bërë që shpesh unë të ndihem i detyruar për t’u përpjekur sa më shumë për të dhënë maksimumin e maksimumit në çdo ndeshje. Besoj se deri tani ja kam dalë me sukses. Unë investoj shumë në stërvitje e në përgatitjet e mia individuale, por kjo është bërë e mundur edhe në saj të punës dhe ndihmesës të stafit teknik e sidomos të vetë trajnerit Bellait. Puna me skemat tekniko-taktike dhe imitimi në situata të ndryshme të lojës, na ndihmon ne si mbrojtës dhe mesfushorë që të jemi sa më produktivë në ndeshje.

Sa i gatshëm është Dalipi pas asaj mungese me Vllazninë?

Sigurisht që qëndrimi jashtë fushave ndikon negativisht për të qenë aktiv e për të ruajtur formën, por unë me stërvitjet e mia gjithmonë përpiqem për të qenë i gatshëm në çdo moment, sa herë që, ekipi ka nevojën time. E këtë gjë e vendos vetëm stafi i cili ndërton dhe formacionin e ndeshjes, duke vendosur lojtarët sipas skemës, që ata ndërtojnë e do ta përdorin për ndeshjen.

Keni marrë 6 kartonë të verdhë, lojtar me mbingarkesë penalizimesh, çdo të thotë për Dalipin?

E vërtetë, por vetë roli im i shkatërruesit nga mesfusha në mbrojtje dhe nga mbrojtja në mesfushë e bën një gjë të tillë të mbingarkohesh në kontaktet me lojtarët kundërshtarë dhe të gjitha ndëshkimet janë vetëm për ndërhyrje e asnjë për sjellje antisportive. Edhe pse mundohem të jem sa i kujdesshëm, përsëri janë të pashmangshme, por ndoshta edhe ndonjë ekzagjerim nga gjykimet.

Çfarë ka më shumë rëndësi për ju në këtë moment?

Për mua më e rëndësishme është që ekipi ti rikthehet fitoreve të munguara, në mënyrë që të vijojë ecuria pozitive si më parë. Ndërsa ndaj Egnatias ne do të luajmë vetëm për fitore, por para kësaj ndeshje duhet që qetësia të mbizotërojë tek çdo lojtar, të mos ngarkohemi emocionalisht. Një ekip që funksionon në grup dhe i plotë arrin çdo sukses.