Rei Manaj po rikthehet në formën e tij të mirë. Në katër ndeshje me Sivasporin te Liga e Parë turke, regjistron tre gola dhe një asistim. Presidenti i klubit, Burak Ozçoban, ka folur së fundmi për sulmuesin e Kombëtares shqiptare.
Manaj është mjaft i lidhur me klubin turk. Presidenti i Sivasporit ka zbuluar madje se 29-vjeçari dëshiron që ta mbyllë karrierën si futbollist te Sivaspori, më pas të jetë trajner i tyre.
“Para se të vinte Rei Manaj, më telefonoi dhe më tha: ‘E dua shumë Sivasporin. Është familja ime. Dua të vij’. I thashë se nuk mund t’i ofronim pagë të lartë dhe qëndruam në kontakt.
Kur ia tregova kushtet tona Rei Manajt, ai tha: ‘Ky është një projekt për mua, dua të tërhiqem nga futbolli te Sivaspor. Dua të jem trajner te Sivaspori në të ardhmen’. Rei Manaj është një mik që e do Sivasporin. Ne i mbajtëm të gjitha premtimet që i bëmë, dhe ai i ka mbajtur premtimet që na bëri. Ai po punon dhe po i ndihmon shokët e tij”, u shpreh presidenti i Sivasporit.