Klodiana Lala ka folur për videon që ka qarkulluar dje menjëherë pas arrestimit të Ilir Metës. E ftuar në emisionin “Opinion”, gazetarja e njohur e kronikës tha me kompetencë të plotë që filmimi nuk është e qytetarëve, por e policisë.
Sipas saj, nuk ka pasur një video të rastësishme, por gjithçka ka qenë e planifikuar nga uniformat blu. Në panelin e këtij emisioni, Lala deklaroi:
“Është filmim i policisë. Mbaj përgjegjësi për këtë që them. Policia e Shtetit mund të na i kursente këto pamje. Dhe ne do të diskutonim nëse ka bërë korrupsion apo jo Ilir Meta, ka pastruar apo jo , nuk do të merreshim me këto.
Edhe një herë mbaj përgjegjësi të plotë për këtë që po them. Të lutem tani mos më pyet për emrin, por kamera është vendosur nga Policia e Shtetit atje“.
Kujtojmë që për këtë pretendohet se filmimi ka qenë i rastësishëm nga qytetarë që kanë parë gjithë ngjarjen “Live”. Megjithatë sipas Lalës, kjo ka qenë e planifikuar nga policia me kameran e stacionuar atje ku do të bëhej arrestimi i Ilir Metës.
Presidenti i Partisë së Lirisë u arrestua mesditën e djeshme me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, ku akuzohet për korrupsion, pastrim i produkteve të veprave penale si dhe mosdeklarim të pasurisë.