Belind Këlliçi këmbëngul se Erion Veliaj nuk ka qenë në SHBA, siç deklaroi publikisht.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Këlliçi tha se nuk ka asnjë kontradiktë mes deklaratave të tij, se Veliaj nuk ka hyrë në SHBA dhe deklaratave të Sali Berishës, i cili tha se Veliaj u arratis në SHBA.
“Nuk ka asnjë kontradiktë mes deklaratave. Zoti Berisha ka dalë në 28 dhjetor, rreth orës 11:00 paradite dhe ka dhënë deklaratë se kreu i 5D është nisur për të kërkuar azil është arratisur drejt SHBA. Ka publikuar edhe një biletë të kreut të 5D që nuk e ka përgënjeshtruar. Kjo koiçidon me orën që pritet në tranzit në Vienë. Pas këtij momenti ka patur përgënjeshtrim dhe kreu i 5D ka thënë po shkoj për vizitë zyrtare.
Nga informacionet që kemi marrë në rrethana informale, kemi marrë të njëjtin informacion se nuk është lejuar të udhëtojë në SHBA. Për dy ditë e gjysmë nuk ka postuar asnjë foto me asnjë person nga SHBA, asnjë takim dhe asnjë axhendë, është tregues se nuk ka patur takim dhe vizitë zyrtare. Edhe nëse është nisur për të shkuar ka shkuar për hallet e tij me Nesti Angonin alias Nesti Rama.
Kam informacion se është kthyer nga Frankfurti në Tiranë. Le të dalë dhe ta mohojë.
Deri sot që ne flasim, nuk ka asnjë të dhënë, fotografi, axhendë, ftesë, aktivitet. Na është thënë se zotëria nuk është lejuar të shkojë në SHBA. Ka pretendime të tjera që ka qenë në Los Angeles”, tha Këlliçi.