Aktualitet

“Delfinët” e Sali Berishës, Bashkim Ulaj dhe Shkëlqim Beshiri, të përzgjedhurit e Edi Ramës për kullën te Pallati i Kongreseve

Korporata Shqiptare e Investimeve ka mbyllur fazën e parë të procedurës për projektin multifunksional pranë Pallatit të Kongreseve në Tiranë. Nga 13 kompani pjesëmarrëse, pesë janë përzgjedhur për fazën e dytë të garës. Mes tyre janë “Gener 2” e Bashkim Ulajt dhe “Klar” e Shkëlqim Beshirit, kompani që sipas raportimeve kanë pasur lidhje biznesi me qarqe politike ndër vite. Projekti parashikon një kompleks të madh ndërtimi në një nga zonat më të rëndësishme urbane të kryeqytetit, ndërsa procesi ka hapur debat mbi transparencën dhe interesat që qëndrojnë pas përzgjedhjes së operatorëve.

Më 3 mars 2026, kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Drejtoreshës së Korporatës së Investimeve, Elira Kokona, ka mbyllur fazën e parë, të pazarit për ndërtimin e kullës në lulishten pranë Pallatit të Kongreseve në Tiranë.

Nëpërmjet një procedure me 13 kompani ndërtimi pjesëmarrëse, për projektin multi-funksional tek Pallati i Kongreseve; janë përgjedhur 5 kompani që do vazhdojnë garën në fazën e dytë, për të marrë kontratën e ndërtimit të kullës.

Mes 5 subjekteve që ka përzgjedhur komisioni i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, janë dy kompanitë e ndërtuesve të lidhur në interesa me familjen “Berisha”: kompania “Gener 2” Sh.p.k e Bashkim Ulajt dhe kompania “Klar” Sh.p.k” e Shkëlqim Beshirit.

Për të maskuar faktin, që ndërtimin e kullës do ta bëjnë vetëm, Bashkim Ulaj dhe Shkëlqim Beshiri, janë paraqitur si bashkim operatorësh, duke përdorur formalisht disa firma të tjera e subjekte “Person fizik”, mes tyre firmat “Studio Gang”, “Digi Print”, Besart Papa, Rudina Papavasili, Julian Beqiri, Marsela Demaj, “Michel Desvigne” e Gentian Shkurti, ky i fundit piktor, ish-student i Edi Ramës dhe mbështetës i prishjes së Teatrit.

Dihen lidhjet e Bashkim Ulajt, në pazare e përfitime reciproke me familjen “Berisha” gjatë pushtetit të PD-së deri në 2013, kur ai u lidh me kryeministrin Edi Rama, por pa shkëputur lidhjet e bizneseve në hije me Sali Berishën.

Lidhje të forta interesash me familjen “Berisha” ka dhe ndërtuesi Shkëlqim Beshiri, i skeduar si pastrues i parave të Shkëlzen Berishës, ngaqë nëpërmjet pazareve Berisha- Rama, ai po vazhdon të marrë troje, toka e leje ndërtimi kullash.

Sipas raporteve të agjencive ligjzbatuese, firma “LIM-EM” Sh.p.k, ka pronar në letra Shkëlqim Beshirin, por është biznes i Shkëlzen Berishës; nëpërmjet të cilës, gjatë pushtetit të PS, ka marrë 22 leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë dhe 22 leje ndërtimi nga bashkitë Vlorë, Himarë e Sarandë.

Nëpërmejt lidhjeve të Sali Berishës, Shkëlqim Beshiri, si Prestanome i Shkëlzenit, ka marrë nga Edi Rama, leje ndërtimi për 3 hotele në Himarë dhe lejen “Investitor strategjik” për kompleks vilash e pallatesh me sipërfaqe toke 119 hektarë tokë shtetërore në Lalz; 28 hektarë nga të cilat janë pyll me pisha buzë detit.

Më 17 nëntor 2025, mori lejen për ndërtimin e një kulle për banim, njesi tregtare e hoteleri me 65 kate mbi tokë e 6 kate nëntokë në Bulevardin e Ri të Tiranës, për investimin e të cilës ka deklaruar burimin e financimit.

Prapa logos së firmës “Klar’ Sh.p.k të Shkëlqim Beshirit, familja “Berisha” qëndron edhe te kulla pranë Pallatit të Kongreseve, ku nga 50 mijë m2 sipërfaqe ndërtimi, do përfitojë 27 mijë 500 m2 apartamente, njësi tregtare e garazhde.

Është e njëjta skemë, që Sali Beirha kur ishte kryeministër, përdorte në kullat që ndërtoi Bashkim Ulaj në qendër të Tiranës, ku familja kryeministrore përfitonte apartamente, njësi tregtare e zyra, përveç pjesë fitimi në sipërfaqet e shitura./Pamfleti