Shpërthimi kibernetik i eksitimit të opozitës së Sali Berishës me meme të prodhuara me AI, ku imagjinohet desantimi i Delta Force në Surrel për të kapur Edi Ramën, është shumë më tepër se komedi. Është simptomë e një opozite që ka humbur sensin e realitetit politik.
Po, Edi Rama duhet rrëzuar. Është i konsumuar, i kapur në afera, i izoluar politikisht dhe i mbështetur gjithnjë e më shumë mbi një sistem klientelist dhe frike. Rrëzimi i tij është domosdoshmëri demokratike. Por kjo nuk është rruga.
Kjo nuk është opozitë. Kjo është një fantazi kolektive e njerëzve që kërkojnë shpëtim nga jashtë, sepse nuk janë më në gjendje të ndërtojnë forcë nga brenda. Një opozitë që rri e mbyllur në telefonat e shtrenjtë, në divanet e klubeve luksoze, me puro në dorë dhe gota alkooli të shoqëruara me Red Bull, duke prodhuar meme sikur politika është një videolojë.
Ndërsa kërcejnë me këngë folklorike për Sali Berishën dhe postojnë helikopterë amerikanë në Instagram, harrojnë faktin bazë: asnjë pushtet nuk rrëzohet nga meme, asnjë regjim nuk bie nga tallja.
Opozita e Venezuelës, që nga viti 1999, është përballur me një regjim real ushtarak, me dhunë, me paramilitarë, me mbështetje direkte nga Rusia, Kina, Kuba dhe Irani. Ka paguar çmim real. Ka pasur të burgosur politikë, disidentë dhe liderë në internim. Dhe vetëm pasi ndërtoi bazë popullore dhe legjitimitet politik, kërkoi mbështetje ndërkombëtare.
Ndërsa opozita shqiptare kërkon desant falas nga Donald Trump, pasi ka sulmuar SHBA-në për vite me radhë, ka fyer partnerët perëndimorë dhe vazhdon të mbrojë një lider të shpallur Non Grata. Kjo nuk është strategji. Është vetëposhtërim.
Amerikanët nuk rrëzojnë liderë për qejfin e opozitave të dështuara. Ata ndërhyjnë vetëm kur u del përpara një rrezik real strategjik. Edi Rama nuk është rrëzuar sepse, përballë tij, nuk ka një alternativë serioze.
Rama bie vetëm nga politika reale, nga një opozitë e besueshme, me liderë pa korrupsion, pa barrë të vjetër dhe pa nevojë për kostume “Gucci” e parfume të shtrenjta që maskojnë zbrazëtinë politike.
Kjo farsë me Delta Force nuk e dobëson Ramën. Përkundrazi, e ndihmon. I jep alibinë e viktimës, i forcon narrativën e stabilitetit dhe e shpëton nga përballja reale.
Kur Marco Rubio thotë se askush nuk tallet me këtë president, ai nuk flet vetëm për Edi Ramën. Ai flet për ata që mendojnë se politika bëhet me Photoshop dhe rrëzimi i pushtetit me GIF.
Po, Edi Rama duhet rrëzuar.
Por jo nga divani.
Jo nga Instagrami.
Jo duke pritur helikopterë në Surrel.
Ai rrëzohet vetëm nga politika. Dhe për këtë, opozita duhet të fillojë nga vetja.