Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër për mënyrën si po trajtohen dëmshpërblimet për dëmet e shkaktuara nga zjarret dhe fatkeqësitë natyrore në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.
Përmes një postimi në Facebook, Braçe thekson se, ndonëse pretendimet ishin se fondet janë kaluar te bashkitë, realiteti është ndryshe, paratë janë ndarë vetëm për dëmet në banesa, ndërsa fermerët dhe blegtorët mbeten pa kompensim.
Reagimi i plotë i Braçes:
GJYSMËT E VËRTETAVE QË TË BËJNË TË NDJEHESH KEQ… DERI NË GJËNJESHTRË!
Të martën në KUVEND, fola dhe kërkova:
Të paguhen dëmet e shkaktuara nga zjarret gusht–shtator në blegtori dhe bujqësi!
Në vijim, përmenda edhe dëmet e përmbytjes së nëntorit, ngricës dhe përmbytjes së janarit në bujqësi e blegtori.
Ate seancë dhe në fundjavë, dëgjova të thuhej se bashkive u janë kaluar paratë e dëmeve të shkaktuara nga zjarret e verës.
E VËRTETA është se bashkive u janë kaluar paratë e dëmeve të shkaktuara nga zjarret e verës në SHPËTI!
PARA PËR DËMET NGA ZJARRET NË BLEGTORI – BAGËTI DHE FRUTIKULTURË, NUK JANË NDARE DHE NUK JANË PAGUAR!
Në nëntor, në Komisionin e Ekonomisë, pyeta ministrin e Bujqësisë për këto dëme dhe pagesat për to; mu përgjigj se do të ishin të përfshira në Aktin Normativ të fundit të vitit, dhe saktësoi se blegtorët do të kompensoheshin në natyrë – me bagëti sipas llojit të humbur!
Por, në komision, gjatë shqyrtimit të Aktit Normativ të fundvitit, pyeta ministrin e Financave për kompensimin e blegtorëve dhe bujqve për dëmet nga zjarret e verës.
Mu përgjigj se këto para nuk ishin në buxhet, Ministria e Bujqësisë nuk kishte bërë kërkesë për fonde dhe se duhej baza ligjore nëse lejonin këto pagesa.
TROÇ: KËTO PARA NUK ISHIN NË AKTIN E FUNDIT TË VITIT 2025 DHE NUK JANË ASNJË KUNDËR NË BUXHETIN E VITIT 2026, SAKOHE QË AI U MIRATUA, NDËRKOHE KËTO PARA DUHESHIN TË ISHIN NË AKTIN NORMATIV TË 2025!
Tani dy gjëra:
-Shumë mirë që paguajmë për dëmet e zjarreve në shtëpitë e njerëzve; strehimi është jetik. Por shtëpia pa punë, mjetet e prodhimit dhe burimin e të ardhurave nuk dihet sa kohë do të sigurohet; ekonomia blegtorale është jetike për ta! Ndërkohë, kjo ekonomi bën pjesë në ekonominë kombëtare bujqësore, e cila ka tre vite në rënie të fortë.
-E VËRTETA e lënë në mes nuk zgjidh asgjë; duhet të shkojë deri në fund, si e mirë publike për njerëzit!