Aktualitet

Dënimi i Safet Gjicit, Elisabeta Imeraj sqaron: Gjykata ka vendosur drejt! Ja pse Alma Kaçi u akuzua për “Prostitucion”

Ish-kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj ka folur për dënimin me dy vite burg dhënë sot (7 shkurt) për Safet Gjicin. E ftuar në emisionin “Open” në News24, Imeraj u shpreh se për rastin e ish-kryebashkiakut, gjykata ka vendosur drejt.

Për Gjicin, gjykata ndryshoi akuzën nga ajo e korrupsionit, në atë të shpërdorimit të detyrës. Sipas Imerajt, kjo për faktin se që të akuzohet për korrupsion duhet të ishte një procedurë e nisur, ndërsa në rastin konkret kjo nuk kishte ndodhur.

“Nëse i referohemi faktit të publikuar në media, se bëhet fjalë për një projekt të pretenduar që do jepej, por që nuk ka një zanafillë dokumentacioni. E gjej me vend vendimin e gjykatës për një kualifikim të tillë ligjor, ndërsa masa e dënimit është tjetër gjë. Në rangun e kualifikimit gjykata ka vendosur në mënyrë të drejtë.

Pasi veprimet që të çojnë, ose që të kemi një kualifikim të veprës penale të korrupsionit për të cilën ishte akuzuar Gjici, duhet të ishte një procedurë e nisur dhe e premtuar që do jepej në këmbim të një favori, në rastin konkret favori seksual. Për aq kohë sa bashkëautorja tjetër, zonja Kaci ishte në rangun që ishte prezantuar me një emër të rremë, dokumentacioni nuk kishte filluar etj., janë një sërë elementësh që i japin hapësirën gjykatës që të bëjnë një interpretim të tillë”, tha Imeraj.

Ndërsa në rastin e akuzës për prostitucion të Alma Kaçit, Imeraj u shpreh: Veprimet që ka kryer Alma Kaci janë ofrimi i shërbimeve seksuale që sipas legjislacionit shqiptar përbën këtë vepër penale.