Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur pak më parë përballë Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, ku një punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) është përplasur me bordurat duke rrezikuar seriozisht jetën e kalimtarëve.
Sipas dëshmitarëve, punonjësi ishte në gjendje të dehur, duke xhiruar gomat dhe humbur kontrollin e mjetit të tij. Ngjarja ka krijuar panik mes qytetarëve që lëviznin në zonë, shumë prej të cilëve kalojnë aty çdo ditë me familjet dhe fëmijët e tyre.
“Unë kaloj aty me fëmijët çdo ditë. Ishte tmerruese të shihje dikë në gjendje të tillë, i cili mund të kishte shkaktuar një tragjedi,” tha një prej kalimtarëve që ishte dëshmitar i incidentit.
Sjellja e papërgjegjshme e këtij individi, që mban një pozicion publik dhe është i ngarkuar me detyrën për të mbrojtur rendin dhe territorin, ka ngjallur zemërim në komunitet. Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për të mbajtur përgjegjës këtë punonjës dhe për të garantuar sigurinë e njerëzve.
Derisa të merren masa për këtë rast, qytetarët ndihen të pasigurt në rrugët e qytetit dhe shprehen të indinjuar për mungesën e kontrollit mbi sjelljen e zyrtarëve publikë. “Këto mostra po na vënë jetën në rrezik,” u shpreh një qytetar i pranishëm në vendngjarje.
Policia ende nuk kanë bërë një deklaratë zyrtare për këtë incident.