Këtë të hënë duke nisur nga ora 19:00, në stadiumin “Air Albania”, do të startojë derbi i vogël i kryeqytetit mes Dinamos dhe Partizanit. Kjo është një përballje që konsiderohet si finale për vendin e katërt teksa të dyja skuadrat janë aktualisht me pikë të barabarta 39, si dhe luftojnë për të siguruar pjesëmarrjen në “Final Four”.
Në përballjet mes tyre në këtë sezon, janë blutë ata që kanë triumfuar teksa kanë fituar në të dyja fazat e mëparshme. Në fazën e parë të besuarit e trajnerit Ilir Daja fituan me shifrat 2-0, ndërsa në fazën e dytë regjistruan fitoren me shifrat 1-3.
Gjithsesi, në këtë ndeshje të sotshme, skuadrat vijnë në një formë krejtësisht të ndryshme nga e kaluara. Të kuqtë kanë koleksionuar katër fitore radhazi në kampionat, teksa edhe pse u eliminuam nga Kupa në mesjavë, sërish kanë motivimin dhe ekzaltimin e duhur për të arritur vendin e katërt tashmë që e kanë zeruar diferencën disapikëshe kishin me Dinamon vetëm disa javë më parë. Nga ana tjetër, Dinamo nuk është në momentin e saj më të mirë dhe në kampionat, para fitores së javës së kaluar ndaj Vorës në fundin e ndeshjes me rezultatin 1-2, kishte kaluar pa regjistruar fitore në shtatë ndeshje.
Megjithatë, triumfi me Vorën, shtuar këtu edhe kualifikimin në raundin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë në mesjavë ndaj Tiranës, ka rritur moralisht Dinamon. Në këtë formë, në “Air Albania” pritet një ndeshje mjaft e luftuar nga të dyja skuadrat që do të provojnë të marrin maksimumin për të rritur secila prej tyre shanset për të marrë pjesë në “Final Four”, edhe pse sigurisht asgjë nuk do të ndahet sot, pasi mbeten edhe nëntë javë kampionat e për më tepër mbetet edhe një tjetër përballje direkte mes palëve për t’u zhvilluar në fazën e katërt. Megjithatë, një fitore do të thoshte shumë për secilën skuadër mbi të gjitha në aspektin psikologjik.
Sa i takon mungesave, të dyja skuadrat nuk do të jenë me organikën e plotë në këtë derbi. Dinamo vuan mungesën e Qardakut dhe të Beqjës për shkak të dëmtimeve ndërsa nga ana tjetër, te Partizani do të mungojë Sembene, me mbrojtësin që ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë.