Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me dëshminë e 41-vjeçarit Filip Shehu, autorit të vrasjes së kolegut në orarin e punës. Ai ka qenë i dënuar më parë, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Ai ka deklaruar se konflikti ka qenë i çastit vetëm për punën, por ka shtuar se kanë pasur marrëdhënie konfliktuale të gjata me të.
Dëshmia bie ndesh me stafin tjetër të lokalit, të cilët kanë deklaruar se viktima Indrit Ismailllari, nuk ishte një njeri problematik dhe nuk grindej me asnjë njeri.
Viktima prej 5 vitesh ishte pjesë e këtij restoranti, ndërsa autori ishte pjesë e stafit prej pak kohësh.
Ata nuk kanë pasur debate të ashpra, teksa autori vijon të mbajë të njëjtën dëshmi duke treguar se “kishim konflikte të vazhdueshme”, por kjo gjë nuk konfirmohet nga stafi i biznesit.
Sa i përket dinamikës së ngjarjes, sipas dëshmive gjithçka ka nisur për një proshutë. Autori kishte marrë një pjatë me proshutë, të cilën viktima i ka thënë të mos e marrë.
Fillimisht kanë nisur një debat verbal e më pas Filip Shehu ka marrë thikën dhe e ka goditur pabesisht në qafë nga mbrapa, duke i prekur arterien kryesore. Kjo plagë i mori edhe jetën 34-vjeçarit.
Autori gjakftohtë, ka qëndruar i qetë duke pritur policinë, ndërkohë që pritet t’i bëhet një ekzaminim psikologjik. Ai ka probleme sociale, prej muajsh jetonte i vetëm dhe kishte probleme me familjen.
34-vjeçari Indrit Ismaillari, kamerier në lokalin në zonën e Komunës së Parisit, ka mbetur viktimë pasi është goditur me thikë nga Filip Shehu, i cili punonte si kuzhinier në këtë biznes.