Kronikë

Detaje të reja/ Misteri i vrasjes e 20-vjeçarit në Shkodër, shoqërohen 20 persona, gjenden 6 gëzhoja në vendngjarje

Disa detaje të reja kanë dalë nga vrasja e 20-vjeçarit Pavlin Preka një ditë më parë (27 Shkurt, krim i ndodhur në fshatin Guci e Re në Shkodër.

Policia vendore e Shkodrës ka shoqëruar deri më tani afro 20 persona, komshinj të 20-vjeçarit, që mund të kenë dijeni për viktimën apo edhe të tjerë që njihen si problematik në zonë.

Të gjithë janë marrë në pyetje ndërsa deri më tani nuk ka asnjë autor të dyshuar të ngjarjes. I riu jetonte mes Dukagjinit dhe Gucisë bashkë me babain dhe vëllain e tij teksa merren me bagëti atje.

Viktima kishte mbërritur në banesë vetëm 4 ditë para vrasjes ndërsa janë ende të paqarta motivet e këtij krimi, ndërsa ende nuk ka asnjë pistë hetimi. Familjarët kanë deklaruar se nuk e kanë idenë se kush mund të jetë autori sepse nuk kanë qenë në dijeni të ndonjë konflikti.

Mësohet se viktima është qëlluar me 6 plumba me armë zjarri pistoletë në trupin e tij. Grupi hetimor ka sekuestruar gëzhojat të cilat ndodheshin pranë njëra-tjetrës. Efektivët dyshojnë se 20 vjeçari është qëlluar nga një distancë e afërt në oborrin e shtëpisë së tij ku u gjet trupi i pajetë.

Ka qenë xhaxhai i 20 vjeçarit, Nikollë Preka i cili është personi që konstatoi se nipi i tij ishte vrarë. Viktima jetonte i vetëm në shtëpi ndërsa ushqehej tek familja e xhaxhait që e kishte shumë afër. Pasi e kanë telefonuar disa herë për të ngrënë dreken, i riu nuk i është përgjigjur dhe xhaxhai i tij ka shkuar tek banesa duke menduar se mos ishte në gjumë.

Në ato momente e ka gjetur të shtrirë në oborr teksa kishte ndërruar jetë nga plumbat. Menjëherë telefonoi policinë ndërsa efektivët nisën hetimet. Ndërkohë komshinjtë kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar krisma çka çon në dyshimin se vrasja mund të jetë kryer me pistoletë me silenciator.

Po ashtu kanë deklaruar se nuk e kanë parë autorin e paidentifikuar. Policia dyshon se në atë zonë pa kamera sigurie, autori ka ardhur në këmbë dhe është larguar po në këmbë mes arave ndërsa ka pasur shumë mundësi për t’u larguar pa lënë gjurmë. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë.