…Për Liza Laskën kam kujtimet më të mira qysh nga koha e gjimnazit. E njoha atëhere kur pasioni im për teatrin kishte marrë ravijëzimin e dukshëm për t’u kthyer më pas në një rrugëtim të pashmangshëm të jetës time.
Isha në vitin e parë të gjimnazit kur u përzgjodha nga aktori Aleksandër Pogaçe që do të ishte regjisori ynë dhe Drejtoresha e shkollës Aferdita Abazi të interpretoja një rol në pjesën teatrale – Një vajzë kërkon përgjigje-. Do të zhvillohej takimi teatror i shkollave të mesme. Në fund pas nje pune rigoroze me pasion dhe përkushtim pjesa jonë u pëlqye më shumë dhe kështu zumë vendin e parë në takim. Sa mbaroi çfaqja dikush nga shokët më tha se më kërkonte Liza Laska. Pak i lodhur dhe i mbushur me plot emocion pasi përgëzimet e shokëve dhe mësuesve ishin me superlativa, zbrita nga skena dhe po kërkoja mes asaj morie spektatorësh Lizën. E kisha parë në shumë shfaqje së bashku me prindërit, por të them të vërtetën më kishte mahnitur me interpretimet e saj.U ndodha përballë , me përgëzoi duke më përqafuar dhe me dorën në qafën time më tha me atë zërin e mrekullueshëm:
– Gjoka, mos iu nda teatrit.
Dhe prej asaj kohe unë u aktivizova si i jashtëm ne teatrin profesionist të Vlorës. Pata fatin të interpretoja role të para dhe të dyta si dhe figurant në shumë pjesë të vena në skenë nga regjisorë të talentuar të këtij teatri si Piro Sava , Nazmi Bonjaku, Vladimir Balla etj. Gjithashtu në disa drama kam qenë partner i Lizës ku më shtangte me fuqinë interpretuese. Ajo ishte e jashtzakonshme në skenë. Ecja e saj, plastika, mimika dhe komportimi ngopnin deri në detaje çdo rol që interpretonte. Unë sigurisht veç të dhënave ndoshta të lindura dhe punës së palodhur që bënte regjisori për të arritur atje ku e kërkonte ndërtimi dramaturgjik isha i papërpunuar artistikisht. E pikërisht këtu dua të veçoj punën e palodhur dashamirëse që Liza, kjo aktore e shkëlqyer bëri me mua në ambientet e teatrit dhe të skenës në Vlorë. Më mësoi si të flas bukur në skenë, më mësoi si të dialogojë e të komportohem në skenë, më mësoi si të recitoj bukur. Unë isha një gjimnazist i vitit të parë me një ëndërr për aktrimin. E dëgjoja me vemendje të madhe këtë dashamirëse. Me jepte ushtrime nga më të ndryshme për zhdërvjelltësimin e të folurit një lloj gjimnastike për të bërë aparatin e gojës të gatshëm për të përballuar dialog të tërë në skenë. E, ja kështu, herë pas here unë merrja nga Liza e madhe mësime, të cilat më ngjizën dashurinë për teatrin , të folurën dhe pse jo dashurinë për skenën. Puna e palodhur e saj ishte një shkollë shumë e vlefshme që më parapriu për të arritur në konkursin e Institutit të Lartë të Arteve vlerësimin maksimal nga juria.
Liza Laska do të mbetet për mua, dhe jo vetëm , një aktore superiore, mësuese dhe një njeri me vlera të rralla. Ishte fat i madh që në kolektivin e teatrit profesionist të Vlorës krahas edhe aktorëve të tjerë të mrekullueshëm të ishte Liza Laska kjo mentore avangard e aktrimit kombëtar….