Aktivisti Arben Kola ka deklaruar se protestat kundër qeverisë do të vijojnë deri në arritjen e objektivit të tyre, që sipas tij është dorëheqja e qeverisë. Ai theksoi se organizatorët nuk kanë ndërmend të ndalin mobilizimin, ndërsa paralajmëroi se protesta do të organizohen rregullisht edhe me pjesëmarrjen e mërgatës.
“Protesta vazhdon deri në ditën që bie qeveria. Qytetarët të mos bien pre e provokimeve. Nuk ka ndalim protesta, pavarësisht se ka kampionat botëror, europian apo galaktik. Protesta vazhdon deri në përmbushjen e qëllimeve. Pika e parë dorëheqje, dorëheqje, dorëheqje. Mobilizimi me mërgatën do bëhet çdo 1 apo 2 javë. Protesta vazhdon deri në rrëzimin e kësaj palo qeverie”, u shpreh Kola.
Duke komentuar incidentet e ndodhura në përfundim të protestës, Kola pretendoi se organizatorët kishin bërë thirrje që tubimi të ishte paqësor dhe se aktet e dhunës nuk ishin kryer nga protestuesit.
“Sa i përket nismëtarëve, një ditë më parë e deklaruam se protesta do të jetë paqësore, pavarësisht investimit të qeverisë që nxit njerëz për dhunë. Jemi deklaruar hapur që protesta mbaron këtu, kush ka dëshirë të qëndrojë le të qëndrojë. Ata që gjuajtën mbrëmë janë elementë të sponsorizuar nga qeveria. I ka rënë algoritmi. Qeveria sado mundohet nuk do ja dalë. Rinia nuk manipulohet, çdo tentativë për njollosje nuk do arrihet. Çdo nismë që sulmohet nga Edi Rama është e suksesshme”, deklaroi ai.
Në vijim të reagimit të tij, Kola përsëriti pretendimin se autorët e incidenteve nuk kishin lidhje me organizatorët e protestës.
“Ne kemi qenë pranë Kryeministrisë. Dhe ata që kanë qenë aty, thuhej ‘jo dhunë’. Janë një grupim i sponsorizuar nga qeveria apo grupe mafioze pranë qeverisë. Ne do vazhdojmë paqësisht”, tha Kola.
