Politikë

“Diella fenomen botëror”, Edi Rama: Ia kalon Angelina Jolie

Edhe pse mediat ndërkombëtare e kanë kritikuar gjerësisht kryeministrin Edi Rama për një ministre me inteligjencë artificiale, kreu i qeverisë shqiptare mesa duket i ka keqkuptuar lajmet.

Gjatë organizimit për 30-vjetorin e Prokurimeve Publike, ai deklaroi se ministrja Diella u bë një fenomen botëror.

Për Ramën, antireklama është reklama më e mirë dhe të gjitha kritikat i ka marrë për komplimente. Për të e rëndësishme është të flitet, po se çfarë, pak rëndësi ka:

“Faktikisht, sot ne jemi në një proces të avancuar për të kaluar të gjithë procesin e prokurimeve në duart e Inteligjencës Artificiale, me një përqindje shumë të lartë të procesit që nuk përfshin njeriun. Të gjithë e keni dëgjuar, edhe të gjithë e kanë dëgjuar Diellën, sepse Diella është bërë një fenomen botëror dhe është një grua që për nga interesi që ka shkaktuar në gjithë botën, ka arritur të konkurrojë në një moment në kohë Angelina Jolie dhe nga ana tjetër, me siguri keni dëgjuar edhe të gjithë skeptikët lidhur me hyrjen e Diellës në këtë proces. Skeptikët sipas të cilëve, algoritmet mund të kthehen në një problem, pasi edhe algoritmet janë të kontrollueshme dhe të manipulueshme nga njerëzit”, u shpreh kryeministri Rama.

Deklaratë e ‘zhurmshme’ në një ditë si kjo, kur pritet zgjedhja e kreut të SPAK dhe Avokatit të Popullit.