Një tregtare, e cila pësoi dëmtime në biznesin e saj për shkak të zjarrit masiv që ra mbrëmjen e djeshme në zonën e 5 majit është shprehur e indinjuar me reagimin e zjarrfikësve.
Për mediat, ajo thotë se është një ndër tregtarët që ka pësuar më shumë dëmtime dhe se zjarrfikësit nuk kishin mjetet e duhura për të bërë të mundur shuarjen e shpejtë të zjarrit.
Ajo tha se disa kapanone mund të ishin shpëtuar, ndërsa ironizoi teksa tha se “ne do të hyjmë në Evropë me zjarrfikëse të viteve ’80 apo ’90.”
Sipas saj, policia “bënte sehir” dhe se i mbante ata sikur të ishin kriminelë.
“Zjarrfikësit jashtë standardit, ne do të hyjmë në Evropë me zjarrfikëse të viteve ‘80 dhe ‘90. Nuk e di se çfarë aparaturash marrin këto emergjencat për të shuar zjarrin. Shumë dëme. Jam një nga më të dëmtuarat. Këto kapanone mund të ishin shpëtuar. Kur kam ardhur unë të dy kapanonet nuk ishin në zjarr. Ka kaluar zjarri nga lart dhe kanë marrë dy kapanonet. Ishte edhe policia, bënte sehir. Na mbante neve sikur ishim kriminel.”, u shpreh tregtarja.
Kujtojmë që zjarri nisi mbrëmjen e djeshme (8 janar), ndërsa flakët u përhapën në rreth 50 dyqane të disa kapanoneve, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Autoritetet konfirmuan se nuk ka persona të lënduar apo të asfiksuar nga tymi. Dyshohet se një shkëndija elektrike ka qenë shkaku kryesor i rënies së zjarrit, por hetimet vijojnë.