Mirel Josa ka qenë ndër ata të cilët kanë provuar në karrierën e tyre të luajnë kundër Polonisë, edhe në vitet e arta kur në radhët e kësaj skuadre kishte emra si Zbigi Boniek. Ai nuk preferon të bëjë krahasime mes përfaqësueseve të dy epokave të ndryshme por në intervistën e tij për “Sport News” në “News 24”, ka analizuar situatën aktuale me të cilën përballen të dy skuadrat.
Në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, Josa është ndalur sidomos te siguria që ka se Silvinjo do të hedhë në fushë Muçin nga fillimi, me dilemën e vetme rreth rolit që do të mbajë në rreshtim futbollisti i cili po shkëlqen në Turqi.
Profesor, ju e njihni mirë Poloninë, jeni përballur edhe në të kaluarën, madje kur Polonia udhëhiqej nga një prej lojtarëve më të mirë në botë, si Boniek. Mos gaboj edhe atëherë kemi pasur një super ekip, kanë qenë po kualifikuese të Botërorit, në 1984. Përfundoi 2-2, shënuam dy super gola me Omurin dhe Agustin Kolën. E kujtoni shpesh atë ndeshje?
Normal që e kujtoj. E kam në mendje pasi ka qenë ndeshja e dytë me ekipin tim kombëtar. Ka qenë viti ‘84. Unë e kujtoj mirë ndeshjen, por natyrat e ndeshjeve janë të ndryshme. Janë emra të njëjtë sa i takon vendeve. Përveç Boniek, Polonia ka patur lojtarë të tjerë të mirë, ata vinin nga suksese. Kishin skuadër të mirë në atë kohë, kishin rendiment të mirë në atë Kampionat Botëror. Krahasimet nuk mund të bëhen.
Më e fortë ka qenë Polonia e dikurshme apo kjo e sotmja?
Nuk mund ta them, futbolli ka ndryshuar. Qoftë Polonia, qoftë ne, qoftë mënyra e organizimit e kampionateve ka qenë e ndryshme.

Profesor, dilemat më të mëdha duket se janë në fazën sulmuese. Në veçanti, roli që pritet të ketë Ernest Muçi. Në shijen tënde, në konceptin tënd, a duhet të aktivizohet Muçi titullar?
Këtu nuk ka dëshirë, këtu ka çfarë ka vendosur trajneri. Mendimi im është që duhet ta fillojë ndeshjen.
Pse ky hezitim për Muçin, është lojtari më në formë. Kaq shumë humbet Shqipëria në aspektin taktik nëse luan me Muçin?
Unë nuk kam asnjë hezitim, trajneri heziton. Si duket në sulm i janë prishur planet Silvinjos me dy dëmtimet e lojtarëve. Dilema më e madhe, reparti më efikas është sulmi. Nuk dihet si do përdoren lojtarët e sulmit. Mesi i fushës është i palëvizshëm.
A humbet Shqipëria në aspektin taktik nëse luan me Muçin?
Pres që të luajë Muçi, problem është a do luajë në krah të djathtë apo të majtë. Unë them se nuk është hezitim që të luajë Muçi në Kombëtare, duhet të kishte luajtur më përpara. Unë pres që në përgjithësi të luhet me pikë referimi në sulm Brojën dhe Muçi në krah të djathtë.
Dje zhvillova një bisedë me Rudi Vatën. Do ishte vetëvrasje u shpreh nëse do të zhvillonim një presion lart, nëse do të luanim lart, por duhet t’i presim, të luajmë me kundërsulm. Je dakord me këtë ide?
Kam folur me Rudin sot në mëngjes. Nuk folëm për mënyrën si do luajë ekipi, por në përgjithësi për problemet e ekipit dhe si do i zgjidhë Silvinjo. Do i presë me bllok të konsoliduar në mesfushë dhe do i shfrytëzojmë hapësirat nëpërmjet lëvizjeve të Brojës.
Mesfusha dhe mbrojtja duket e konsoliduar, edhe nëse mund të ketë ndonjë ndryshim të vogël, Ramadani ose Qazim Laçi, Ajeti ose Ismajli. Nuk besoj do të ketë ndryshim në lojë. Ju si mendoni, mund të sjellë Silvinjo ndryshime në këto dy reparte?
Nëse do të sjellë ndryshime Silvinjo, unë them do luajë me Gjimshitin dhe Ajetin. Besoj se në formacion do jetë Ajeti, pastaj me Hysajn nuk do kemi ndryshim. Në mesfushë e vetmja gjë që kam është problem që ne kur të presim të na sulmojë, atëherë do të jemi shumë të kujdesshëm në mos-prishjen e trekëndëshit në mesfushë. Do ta kemi më të lehtë me kundërsulme, sesa nëse bëjmë presion lart.
Mund të mbrohemi për 90-minuta, ose më shumë. A mund të ndalet Levandovski? Apo kujt i druhesh më shumë, çfarë të tremb nga Polonia?
Nuk ka humbur statusin Leva, klasin e ka gjithsesi. Para një jave shënoi gol. Unë mendoj që me mënyrën si luan Barça mbetet i paprekshëm, pavarësisht problemeve. Nuk mund të krahasojmë Barcelonën me Poloninë. Te Polonia do luajë.
Në konferencë Silvinjo tha se Muçi dhe Mehmeti nuk janë stërvitur shumë dhe se nuk e di nëse do luajnë. A është kjo mënyrë për t’u fshehur?
Unë besoj se Silvinjo i ka idetë e qarta, çdo gjë është e vendosur. Jemi 24 orë para ndeshjes dhe nuk është se stërvitja e fundit do vendosë diçka. Silvinjo do luajë me Muçin. Unë them që pikë kryesore e jona do jetë kur kundërshtari të hapet, kjo do na ndihmojë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm mbrapa.
Do kem të ftuar Shpëtim Duron nesër dhe dua ta ngacmoj për rezultatin…
Unë mendova që i kishe thirrur për sot (Qesh).
Si del ndeshja?
Jam i rezervuar sa i takon rezultatit. Uroj që ekipi të marrë rezultat pozitiv. Unë e di që Shpëtimi do thotë për barazim. Unë e kam frikë si ndeshje, edhe pse kërkoj që Shqipëria të fitojë! Shpëtimi do luajë me rezultatin tim, kështu që…ky është problem (qesh).
Jo vetëm Shqipëria, më 26 mars luan edhe Kosova kundër Sllovakisë. Si e sheh këtë takim? Mes Shqipërisë dhe Kosovës, kë sheh më pranë Botërorit?
Unë them se Kosova do bëjë, është e sigurt që do fitojë. Duke patur parasysh kreativitetin që ka kjo skuadër në mesfushë e sulm. Them se do jetë kockë e fortë për Sllovakinë.