Pak orë pasi Gjykata e Apelit të Tiranës liroi tre të dyshuarit për vrasjen e Martin Çeços tre vite më parë në Maliq, në motive dhe konflikte që ende janë nën hetim dhe të paqarta, ka reaguar i revoltuar dhe i zhgënjyer babai i të ndjerit, Nevzat Çeço.
I moshuari kërcënon me vetëgjyqësi dhe tha se do e bëjë vetë drejtësinë duke i djegur me benzinë autorët dhe më pas me vetëflijim në sallën e gjyqit.
Thotë se nuk ka frikë më nga vdekja dhe se nuk mund ta pranojë që autorët që e deklaruan përfshirjen në krim, tani të lirohen pa dënim fare.
“S’kam çfarë të them më. Djali më iku pa asnjë faj. Unë do ta ndjek që nesër. Do t’i përvëloj ata me benzinë, do ti përvëloj nuk i le. Arrest shtëpie, lirim janë ato. Mua nuk më dhimbset jeta fare, po nuk i zhduka ata. Nuk i lë, do ta them troç, le të më arrestojnë ç’të duan le të bëjnë, do t’ia gjej radhën, do gjej një bidon me benzinë do t’i përvëloj si familje”, u shpreh ai i revoltuar nga vendimi i Apelit.
Babai thotë se autorët e kanë deklaruar vetë përfshirjen, kurse Gjykata tani i liron.