Ndërsa qytetarët përballen me qira stratosferike dhe çmime ushqimesh që nuk ndalen, paratë e taksapaguesve shqiptarë vazhdojnë të rrjedhin drejt “klientëve” të paracaktuar të qeverisë.
Denoncimi i radhës vjen nga sistemi i burgjeve, ku një tender i majmë për blerje automjetesh të blinduara ngre dyshime të forta për korrupsion dhe paracaktim të fituesit.

Operatori i Blerjeve të Përqendruara, nën drejtimin e Arlinda Pogajt, ka mbyllur procedurën për blerjen e “Autoburgjeve të blinduara BR6”. Fituesi? Kompania “MEKTRIN MOTORS”, në pronësi të Edmond Shahinit.

Këtu fillon “lidhja e kuqe”: Edmond Shahini është familjar i kryetares së Bashkisë Durrës, Emiriana Sako.
Për më tepër, kjo kompani ka qenë më parë në pronësi të vetë bashkëshortit të zonjës Sako, duke vërtetuar se paratë publike po qarkullojnë brenda një rrethi të ngushtë familjar e politik.

Nga studimi i dokumentacionit të tenderit me referencë REF-72609-12-17-2025, skema e paracaktimit bëhet thuajse qesharake. Vlera fituese: 64,010,000.00 Lekë (pa TVSH). Fondi limit: 66,433,333.00 Lekë (pa TVSH).
Matematika e abuzimit: Fituesi ka marrë plot 96.3% të fondit limit. Në një garë reale, diferenca do të ishte shumë më e madhe, por këtu fituesi “e ka ditur” fiks sa duhet të kërkojë.

Në këtë procedurë kanë marrë pjesë 4 kompani. Por ku qëndron hileja? Njëra nga kompanitë ka dhënë ofertë më të ulët se fituesi, por është sllikualifikuar/injoruar.
Dy kompani të tjera (përfshirë fituesin) kanë dhënë oferta thuajse identike, një teknikë kjo që në gjuhën e prokurimeve njihet si “shoqërim” për të krijuar iluzionin e garës.

Me TVSH, vlera e këtij tenderi shkon në rreth 800 mijë euro.
Pyetja që lind është: A është ky prioriteti i shqiptarëve sot?
Apo siguria e burgjeve është thjesht një pretekst për të kaluar miliona euro në llogaritë e familjarëve të zyrtarëve të lartë?
Kur fituesi merr 96% të fondit dhe ka lidhje direkte gjaku me drejtuesit e bashkive kryesore, ky nuk është më tender, por një “shkëmbim dhuratash” me paratë tona./Marrë nga “JOQ Albania”