Ndërsa Prokuroria e Durrësit ka lëshuar 33 urdhër-arreste për zyrtarë dhe biznesmenë të përfshirë në kontrabandën e 102 kontenierëve me mbetje të rrezikshme të “Kurum”, jashtë dosjes hetimore ka mbetur ish-ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro. Dokumentet tregojnë se leja për transportin dhe eksportimin e mbetjeve është firmosur prej saj në prill 2022, çka e bën subjekt të drejtpërdrejtë përgjegjësie penale. Megjithatë, në vend që çështja t’i kalonte SPAK-ut për kompetencë, hetimi është kufizuar në vartës dhe zbatues, duke forcuar dyshimet për paprekshmëri politike dhe standarde të dyfishta në ndjekjen penale të aferave mjedisore.
Prokuroria e Durrësit ka firmosur 33 urdhër-arreste për zyrtarë dhe biznesmenë të përfshirë në skemën e kontrabandës së 102 kontenierëve me mbetje të rrezikshme të “Kurum”, të kapur gati për dalje nga Porti i Durrësit me destinacion Tajlandën.
Mes tyre janë pronarët e kompanisë “Sokolaj” sh.p.k., doganierë dhe ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Arta Dollani, me akuzën për shkelje të ligjit në trajtimin e mbetjeve.
Por jashtë dosjes hetimore, Prokuroria e Durrësit ka lënë ish-ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, megjithëse ajo ka nxjerrë dhe firmosur vendimin për pajisjen e kompanisë “Sokolaj” sh.p.k. me leje për eksport dhe transport të mbetjeve të rrezikshme.
Dokumenti që po publikon “Pamfleti” është Akt-Miratimi nr. 3732, datë 22 prill 2022, i firmosur nga Mirela Kumbaro, për pajisjen e kompanisë “Sokolaj” sh.p.k. me Licencë Mjedisore, Kategoria “III.2.B”, për transportin dhe eksportimin e mbetjeve të rrezikshme.

Mbështetur në këtë provë shkresore, Prokuroria e Durrësit kishte dhe ka detyrim ligjor ta përfshijë ish-ministren Mirela Kumbaro në dosjen hetimore, pasi ajo rezulton se ka dhënë lejen për kontrabandimin e mbetjeve të rrezikshme të “Kurum”.
Madje duhet hetuar nëse Mirela Kumbaro e ka dhënë ilegalisht këtë leje dhe nuk e ka regjistruar apo arkivuar si akt zyrtar, ose nëse ajo është zhdukur pas shpërthimit të skandalit të mbetjeve, ndërkohë që leja është gjetur në dosjet e kompanisë “Sokolaj” sh.p.k.
Është absurd fakti që Mirela Kumbaro nuk është regjistruar si subjekt hetimi, ndërkohë që është marrë e pandehur me masë “arrest në shtëpi” vartësja e saj, ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Arta Dollani, si zbatuese e lejes së mbetjeve të rrezikshme të dhënë nga Kumbaro.
Nisur nga fakti se lejen për mbetjet e rrezikshme e ka dhënë ish-ministrja Mirela Kumbaro, Prokuroria e Durrësit, në zbatim të Kodit të Procedurës Penale, duhej dhe duhet t’ia kalojë çështjen SPAK-ut për kompetencë hetimi, por nuk e ka regjistruar as si subjekt hetimi.
Raste të tjera të përfshirjes në afera dhe paprekshmërisë së Mirela Kumbaro
Përveç lejes për mbetjet e rrezikshme, emri i Mirela Kumbaros ka dalë në 23 afera që lidhen me kulturën, mjedisin dhe turizmin gjatë viteve 2013–2025, kur ajo ishte ministre e Kulturës, Turizmit dhe Mjedisit.
Sipas raporteve të KLSH-së, të dërguara në Prokurori dhe në SPAK, rezulton se me vendimet e Mirela Kumbaros për tokat në bregdet, pyjet, parqet, lumenjtë dhe burimet ujore në zona të mbrojtura, si dhe me lejet për HEC-e dhe gurore, i janë shkaktuar rreth 2 miliardë euro dëme pasurive kombëtare.
Emri i Mirela Kumbaros doli si bashkëpunëtore me ish-ministrin Ilir Beqaj në vjedhjen e 730 milionë lekëve fonde të ministrisë dhe donacioneve të BE-së, përmes tenderëve dhe faturave fiktive.
Ajo doli në copëtimin e 50 hektarëve tokë-park në zonën e Butrintit, të dhënë për resort, si dhe në dhënien e qendrës së Butrintit kompanisë së sallamerisë “Hako”, për ndërtimin e hotelit, restorantit, qebaptores dhe parkingut.
Emri i Mirela Kumbaros doli te leja për zaprimin, ndërhyrjet ndërtimore dhe shfrytëzimin e Kalasë së Lëkurësit në Sarandë nga trafikanti Andrea Çaushi, alias Renato Çaushi, si dhe te leja e dhënë drejtorit trafikant Sokol Feruni për ndërtimin e hotelit “Fantasy” në qendër të Kalasë së Gjirokastrës.
Emri i Mirela Kumbaros doli edhe në vjedhjen e 138 veprave të artit dhe historisë të viteve 1500–1900, të cilat, sipas KLSH-së, janë nxjerrë nga Qendra e Trashëgimisë, Muzeu Kombëtar dhe Galeria e Arteve në vitet 2015–2017 me urdhër të saj, për gjoja restaurime dhe ekspozita, por nuk janë rikthyer më.
Megjithatë, Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe SPAK nuk e kanë marrë asnjëherë në pyetje Mirela Kumbaron, ashtu siç ndodhi edhe me lejen për kontrabandën e mbetjeve të rrezikshme./Pamfleti