Aktualitet

Dosjet në SPAK: Kontrata “1 Euro”, qira fiktive, fonde nga AZHBR, si i përfitoi peshkatari i Ramës 2 miliardë euro pasuri publike

Si kontratat “1 euro”, dhurimet dhe qiratë fiktive me vendime qeverie e lanë peshkatarin trafikant të paprekshëm, ndërsa gjurmët çojnë te Edi Rama dhe ministrat e tij…

Prej tre vitesh, Pamfleti ka depozituar prova zyrtare për grabitjen e rreth 2 miliardë eurove pasuri shtetërore nga Gjergj Luca, përmes VKM-ve, kontratave simbolike dhe përfitimeve abuzive. SPAK nuk ka nisur asnjë hetim, nuk ka procedim dhe nuk ka verifikim pasuror apo financiar, edhe pse ligji antimafia e detyron të veprojë. Heshtja e prokurorisë ngre dyshime për mbrojtje politike dhe frikë nga zinxhiri i firmave që nis në Kryeministri.

Megjithëse pasuritë që peshkatari trafikant Gjergj Luca i ka grabitur shtetit me dokumente false dhe vendime qeverie të personalizuara përbëjnë skemë korrupsioni dhe vjedhjeje të organizuar, drejtuesit e SPAK nuk kanë nisur hetim për këto grabitje.

Prej tre vitesh, “Pamfleti” i ka adresuar SPAK-ut prova zyrtare për këtë grabitje kolosale, përmes kontratave “1 euro”, dhurimeve të paligjshme, qirave fiktive dhe fondeve abuzive, por ish-drejtuesi Altin Dumani nuk urdhëroi nisjen e hetimit.

Sepse, nëse hetimi do të fillonte ose fillon, gjurmët çojnë drejtpërdrejt te firmat dhe urdhrat e kryeministrit Edi Rama dhe të ministrave të tij, të cilët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë sajuar dhe firmosur për t’i dhuruar pronat shtetërore peshkatarit trafikant Gjergj Luca.

Sipas tarifave të Drejtorisë së Administrimit të Pasurive Publike dhe vlerësimit kadastral, rezulton se Gjergj Luca ka marrë pasuri shtetërore me vlerë rreth 2 miliardë euro, me çmime simbolike nga 1 euro secila ose falas, për 10 deri në 20 vite dhe pa detyrime financiare.

Megjithëse ish-drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, deklaronte shpesh se do të hetonte çdo pasuri të grabitur shtetit dhe se nuk kishte frikë nga askush, ai nuk guxoi ta merrte as në pyetje grabitësin Gjergj Luca dhe as ata që i dhuruan pasuritë.

Aktualisht, për Gjergj Lucën nuk ka procedim, nuk ka hetim dhe nuk ka as indicie, edhe pse SPAK ka detyrim ligjor të veprojë mbi bazën e fakteve të publikuara dhe dokumenteve zyrtare. Madje, nuk po hetohen as pasuritë dhe transaksionet financiare të tij si trafikant, në zbatim të ligjit antimafia.

Zoti drejtues i SPAK, Klodian Braho: Ja pasuritë e grabitura nga trafikanti Gjergj Luca

Prej një muaji, në krye të SPAK është Klodian Braho, me betimin se objekt i punës së tij do të jetë edhe hetimi i çdo qindarke dhe i çdo pasurie që i është grabitur shtetit, edhe përmes vendimeve qeverie.

Peshkatari trafikant Gjergj Luca ka grabitur shumë pasuri shtetërore me vendime qeverie, të cilat “Pamfleti” po ia rikujton dhe po ia referon drejtuesit të SPAK, Klodian Braho, për të urdhëruar hetim, mbështetur në provat konkrete që po publikohen.

– Me VKM nr. 873, datë 30.10.2015 dhe VKM nr. 266, datë 29.03.2017, kompania “Rozafa” sh.p.k. e Gjergj Lucës ka marrë 105 mijë m2 objekte dhe troje të Rezervave të Shtetit në Labinot-Fushë të Elbasanit, si dhe 1500 metra tunele që nuk figurojnë në kontratë.

– Me VKM nr. 526, datë 25.07.2019, ka marrë ish-repartin ushtarak në Çekrez të Gramshit, me sipërfaqe 28.960 m2 objekte dhe troje.

– Me VKM nr. 701, datë 30.10.2019, ka marrë 10.287 m2 të Parkut të Hekur-Nikelit në Prrenjas.

– Me VKM nr. 394, datë 09.06.2022, ka marrë 4889 m2 objekte në Kombinatin e Sheqerit Maliq.

– Ka marrë 10 hektarë pyje në Zall-Shkumbin, 84 hektarë pyje në Shmil dhe Zarranik për park energjie, 10.3 hektarë truall në Labinot për kompleks kulturor, 5.1 hektarë në Klenjë të Bulqizës për resort, Liqenin e Xarrës për 30 vite, 15 milje katrore detare në Kakome-Qefal për rezervat e peshkut, 1.3 milionë euro nga fondet IPARD, naftë me çmim të subvencionuar si për jahte luksoze dhe, prej 11 vitesh, merr 2500 euro në muaj nga Dogana për një zyrë me qira në Shëngjin.

Në total, pasuritë që Gjergj Luca i ka grabitur shtetit kapin vlerën e rreth 2 miliardë eurove, me procedura dhe mënyra përfitimi që përbëjnë objekt hetimi për SPAK. Ndërkohë, Gjergj Luca, si trafikant droge, është edhe subjekt i ligjit antimafia.

Pse drejtuesit e SPAK nuk e hetojnë trafikantin Gjergj Luca, kanë frikë, kanë ndikim politik, apo peshkatari i ka futur në “rrjetën” e tij./Pamfleti