Sport

“Duhej ta fitonim ndeshjen”, Dede pas barazimit ndaj Teutës: Nuk mund të bëhem aventurier

Trajneri i Bylisit, Neivl. Dede, theksoi se barazimi pa gola ndaj Teutës, ishte i rëndësishëm për ekipin e tij për të treguar vazhdimësinë në rezultate.

“Kishim ardhur të bënim ndeshjen tonë në Durrës, duke marrë parasysh që Teuta vinte nga një fitore shumë e rëndësishme përballë kampionëve, moralin e kishin të lartë. Ndërruam sistem sot, kaluam me 4-4-2. Berko dhe Gjata punuan mirë por konsumuan shumë duke marrë parasysh tre mbrojtësit e qendrës së Teutës, dihet mënyra e kësaj skuadre, presing dhe një kundër një në gjithë fushën. Vuajtëm në disa nisje të shpejta, por në pjesën ë dytë gjithçka e kishim në kontroll. Na vuri në vështirësi me entuziazëm Teuta, duke shtyrë përpara e krosuar. Por nuk patëm rrezikshmëri. Djemtë meritojnë komplimente për pjesën e dytë, shpërdoruam shumë, kemi shpërdoruar mbi 10 pasime vertikale. Mos harrojmë që për herë të parë luante titullar Përndreca i datëlindjes 2006, duke iu bashkangjitur Markut që duket si veteran. Ofori bëri digën dhe mbulimin, por mbi të gjitha bëri dyfishim dhe na dha frymëmarrje. Besoj se duhej ta fitonim ndeshjen, pavarësisht se Teuta ka kërkesat e saj. Por ne jemi në hall që t’i shkëputeshim fundit, që të tregojmë futboll që djemtë e kanë, por stresi nuk e lë të shfaqet. Janë gjëra që ndodhin në futboll, duhet të shohim e mendojmë përpara.

Shpërdoruam shumë në vertikalizime e nisje. Teuta me entuziazëm donte ta fitonte, rrezikoi pak, e kapëm disa herë të papërgatitur, por rikuperonin. Po të marrim lojtarët një nga një, ishin 50-50, nuk ishin 100% që mund t’ia dal e shënoj. Besoj që pasiguria jo për pikët, por frika që të mos gabojmë, ndoshta nuk dhamë dot pasimin e fundit e nuk shënuam. Shpërdoruam dy raste të pastra në pjesën e parë, që nuk i shërbyem shokëve.

Në disa momente doja të hidhja një sulmues tjetër më të shpejtë. Por e dimë që një nga anët më të forta të Teutës janë goditjet standarte dhe shtatlartësia. Po të hiqja Gjatën, nuk e mbulonim dot. Pritja më shumë nga Malomo, por edhe nga Ruçi që u fut me vonesë në lojë., Edhe kartonët bëjnë punën e vet, ndaj menduam për më vonë. Realisht kam pishman që nuk futa Enriken me shpejtësinë që ka, por duhet të respektoj skuadrën, nuk mund të bëhem aventurier e tentoj gjithçka për gjithçka.

Mendoj që kemi cilësitë, por unë po njoh skuadrën dhe ata po më njohin mua, jo çdo gjë bëhet me buton, e kemi diskutuar edhe kur kemi gabuar. Por skuadra po rritet, bëri superndeshje Përndreca, meriton ta përmend se është ditëlindja 2006. Ky pozicion na jep siguri, mund të luajmë kështu. Berkon nuk e kemi me kapacitet maksimal se po vuan një dëmtim në gju, por na ndihmoi sot.

Marku e Përndreca janë rritur bashkë, m’u duk e më e rëndësishme të komunikonin bashkë në një krah. Konfigurimi m’u duk më korrekt, normalisht ka pak aventurë brenda, janë të vegjël, por në fund djemtë më dhanë të drejtë dhe kjo është më e rëndësishmja, ata justifikuan besimin, por edhe cilësitë që kanë.

Ky Bylis po bën mirë sidomos në fazën e fundit, por kemi bërë gabime, Mund të kishim më shumë pikë. Gabimet na kanë penalizuar. Po përmirësohemi nga dita në ditë, po rritet përformanca, sidomos në mbrojtje ishim mirë. Në pak ndeshje kemi bërë kaq mirë si sot”, tha Dede për RTSH pas sfidës.