Politikë

“Duhet kandidat politik”/ Murrizi kundër PD, tregon emrin e vetëm që mund Manastirliun në Tiranë

Ish-deputeti demokrat Myslim Murrizi ka lëshuar një deklaratë të fortë në lidhje me zgjedhjet e pjesshme që pritet të mbahen në Tiranë dhe në 5 bashki të tjera.

Në një intervistë për emisionin “Breaking” në Top News, ai u shpreh se Partia Demokratike nuk mund të shkojë në këtë garë me kandidatë të panjohur apo të imponuar nga interesa personale.

Sipas Murrizit, emri që duhet të përfaqësojë PD-në përballë kandidates së mazhorancës, Ogerta Manastirliu, është Jorida Tabaku, të cilën ai e cilësoi si “demokratja më e votuar” në zgjedhjet e fundit. Ai shtoi se edhe në rast se Tabaku nuk pranon, partia duhet “ta detyrojë” që të kandidojë, në shërbim të demokratëve.

Për mua duhet të ishte kandidate për Tiranën Jorida Tabaku. Ajo është demokratja më e votuar. Edhe nëse nuk do duhet të detyrohet për t’u shërbyer demokratëve. Nuk bëhet me kandidat jo politik. Nëse këta nuk duan kandidat politik, të na thonë arsyen sepse duhet dhënë llogari. Mendoj se është interesi i tyre personal”, tha Murrizi.

Ai shtoi se një kandidat “jo politik” nuk do të kishte mbështetje as nga ai personalisht dhe as nga baza e PD-së. “PD ka plot emra që mund t’i vendosë si kandidatë, kanë histori brenda partisë, janë ish-studentë të dhjetorit. Nuk e votoj kurrë një kandidat anonim”, u shpreh ish-deputeti.