Kronikë

Dyshohet se u hodh në lumin Osum, kërkime me polumbarë të RENEA-s në kanionet e Skraparit për gjetjen e trupit të 42-vjeçarit! Bashkohen edhe banorët

Nisin kërkimet me polombarë të RENEA-s në Kanionet e Osumit, për gjetjen e 42-vjeçarit Ilir Kurti.

Në ndihmë të polumbarëve kanë shkuar edhe dy varka ‘Raffting’ dhe banorë, por ende nuk ka asnjë gjurmë.

Prej mesditës së sotme, polombarët po vijojnë kërkimet në Kanionet e Osumit në Skrapar, për gjetjen e trupit të 42-vjeçarit Kurti.

Rryma e fortë e lumit, por edhe errësira janë duke i bërë më të vështira kërkimet në ujë. Ekipi i shpëtimit shpreson se trupi të ketë ngecur në ndonjë shkurre, sepse nëse e ka marrë rrjedha nuk dihet se në ç’degë të Osumit mund ta nxjerrë.

42-vjeçar nga qyteti i Skraparit Ilir Kurti dyshohet se i dha fund jetës mbrëmjen e djeshme, duke u vetëhedhur në lumë, në vendin e quajtur “Ura e Blezënkës”, në afërsi të Kanioneve të Osumit, në Skrapar.

Në vendngjarje u gjetën motori me të cilin ai lëvizte, disa sende personale dhe celulari i tij, nga i cili rezultoi se 42-vjeçari i kishte nisur një mesazh vëllait, duke i thënë se po hidhej në lumë.

Sipas familjarëve, ai ishte mbyllur prej muajsh në vetvete dhe po e vuante mjaft ndarjen nga djali, me të cilin nuk fliste prej 7-vitesh pasi ish-bashkëshortja e tij e kishte marrë me vete në vendlindjen e saj, Rumani, kur ishte larguar nga Skrapari.