Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, i është përgjigjur akuzave të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili së fundmi e akuzoi se është pasuruar duke përdorur Partinë Demokratike.
Topi i cilësoi deklaratat e Berishës si të pabaza dhe e përshkroi atë si një “figurë të amortizuar”, që sipas tij, përsërit të njëjtin model politik prej tre dekadash.
“Një figurë e amortizuar nuk jep shpresë. Berisha luan të njëjtën lojë prej 30 vitesh dhe kjo mënyrë nuk funksionon më,” u shpreh Topi.
Ish-presidenti u shpreh gjithashtu kritik ndaj gjendjes së opozitës dhe të djathtës shqiptare, duke theksuar mungesën e alternativave dhe të mendimit politik.
“Sot opozita ka një varfëri ekstreme idesh. Gjithçka varet nga një person i vetëm dhe e djathta ka mbetur pa shpresë. Nuk ka reagim, sepse lideri mban listat në dorë,” tha ai për Breaking.
Deklaratat e Topit vijnë pas një reagimi të mëparshëm të Sali Berishës gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, ku një komentues e kishte pyetur përse nuk fton në protestat e opozitës figura si Lulzim Basha dhe Bamir Topi.
Kjo pyetje shkaktoi irritimin e kryedemokratit, i cili reagoi duke i cilësuar ata si “pseudointelektualë” dhe duke i quajtur “fatkeqësi për kombin”.