E damkosur nga persekutimi dhe e mohuar nga familja: Më braktisët në shkëmbinjtë e Beratit!
Lindja prej një bashkëjetese ka qenë damka e përjetshme e Teutës. Edhe pse erdhi në jetë nga dashuria, ajo nuk u pranua kurrë se ishte vajza e babait, Faslliut. Arsyeja ishte që babai, me profesion kryeinfermier, u dashurua me pacienten ndërkohë që kishte një martesë tjetër.
Më vonë, ai u burgos në vitet e diktaturës dhe Teuta nuk e njohu kurrë, pasi e kishte lënë vetëm 3 vjeçe.
Kur ajo u rrit dhe pas gjithë kalvarit që kishte kaluar, kërkoi strehë te familja nga ana e babait, i cili nuk jetonte më, u përball me refuzim. Për këtë arsye, ajo gjendet përballë Tetemit në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Tetemi është djali i xhaxhait dhe e njeh mirë historinë, por ai thotë se Teuta vetëm po vijon rrugën e të atit duke shqetësuar familjen.
Teuta: Të lindësh në Tiranë dhe të braktisesh në shkëmbinjtë e Beratit, në fshatrat e Beratit? Çfarë u bëra unë? Lëre këta që s’më pranonin nga persekutimi, por edhe fëmijët e këtyre nuk më pranonin.
Tetem: Nuk të pranonin se ishe bija e Faslliut! Na godite edhe neve në politikë!
Teuta: Çfarë bëri Faslliu?
Tetem: Xhaxhanë e vogël e përjashtuan nga partia, xhaxhanë e madh e lanë atje se ishte në kooperativë. Pasojat ishin të Faslliut, tani po më bie ti pasoja të tjera në këtë moshë!
Teuta: Çfarë ju bëri Faslliu? As vrau, as preu! Më keni persekutuar edhe ju, s’më kanë hapur dyert! Jo vëllezërit, por edhe fëmijët e tyre!
Përgjigjja e vetme e Tetemit është se ai e ndihmoi Teutën pasi ajo u largua nga burri i parë që i vrau nënën duke e rimartuar. Nga martesa e dytë Teuta ka dy djem, kurse nga e para një. Por Teuta thotë se përveçse e martuan larg, as nuk e pranuan kurrë si pjesë të familjes.
Teuta: Pse s’më deshët?
Tetem: Të martova, të dhashë burrë!
Teuta: Më dhe burrë, por nuk më qasje në shtëpi!
Eni Çobani: Në majë të malit ia dhe burrin?
Tetem: Në majë të malit jetojmë vetë!
Teuta: Linda te “Mbretëresha Geraldinë” dhe të rri në shkëmbinj!