Politikë

“E nxorët nga dera e futët nga dritarja!”/ SPAK refuzoi pjesëmarrjen e Veliajt, plas sherri në mbledhjen e Këshillit Bashkiak

Këtë të premte Këshilli Bashkiak në Tiranë po zhvillon mbledhjen për projekt-buxhetin e parashikuar për bashkinë për vitin 2026.

Mbledhja e drejtuar nga nënkryetarja Anuela Ristani nisi me debate, pasi anëtarët e opozitës kërkuan prezencën e kryebashkiakut Erion Veliaj, por kërkesa u rrëzua nga SPAK.

Dorjan Teliti kërkoi shpjegim për mënyrën e menaxhimit të kësaj bashkie.

“Morët një vendim të njëanshëm, ku u bashkuam dhe ne, nxorët nga dera kryetarin e Bashkisë dhe e futët nga dritarja, a mund të diskutojmë sesi po menaxhohet kjo bashki? Çfarë do të ndodhë. A vendosëm pak kohë më parë ta shkarkonim bashkërisht?”, tha Dorjan Teliti.

Megi Fino i ndërpreu fjalën dhe iu drejtua nënkryetares Anuela Ristanit të niste me rendin e ditës.

Prokuroria e Posaçme ka refuzuar kërkesën e Këshillit Bashkiak të Tiranës që Erion Veliaj të marrë pjesë fizikisht në mbledhje.

Më 18 Nëntor, Këshilli Bashkiak i Tiranës iu drejtua me një letër Prokurorisë së Posaçme dhe Drejtorisë së Burgjeve, ku i kërkonte të lejonin Erion Veliaj që të merrte pjesë në mbledhjen e radhës, ditën e premte.

Por, SPAK nuk e ka miratuar kërkesën e Këshillit Bashkiak. Kujtojm që Erion Veliaj ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit 2025, dhe që atëherë nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Këshilli Bashkiak e shkarkoi nga detyra, por Veliaj u rikthye në postin e kryetarit nga Gjykata Kushtetuese.