Kronikë

E pushoi nga puna! Shqiptari në Itali nuk e kursen pronaren, e sulmon me molotov

Një 43-vjeçar shqiptar ka përfunduar në burg në Itali, pasi akuzohet se sulmoi me një shishe molotov makinën e ish-punëdhënëses së tij, e cila e kishte pushuar nga puna. Ngjarja ndodhi në muajin gusht të vitit të kaluar në qytetin Cento, në provincën e Ferrarës.

Sipas mediave italiane, nga hetimet e karabinierëve rezulton se burri hodhi një shishe molotov në drejtim të automjetit të sipërmarrëses, duke e shkatërruar plotësisht. Gruaja, ish-shefja e tij, jeton në San Giovanni në Persiceto.

Hetuesit dyshojnë se pas largimit nga puna, 43-vjeçari kishte ndërmarrë një seri veprimesh hakmarrëse ndaj saj dhe kompanisë. Përveç djegies së makinës, ai dyshohet se ka tentuar të sulmojë edhe biznesin e saj. Në një rast tjetër, sipas hetimeve, ai kishte spërkatur me benzinë një nga furgonët e firmës dhe tentoi t’i vinte flakën, por nuk arriti ta ndizte.

Fillimisht ndaj tij ishte vendosur masa e arrestit shtëpiak, ndërsa priste gjykimin e menjëhershëm. Megjithatë, në fund të muajit shkurt ai theu masën e sigurisë dy herë brenda 24 orësh.

Herën e parë, karabinierët e gjetën në një bar dhe e shoqëruan sërish në banesë. Edhe ditën kur duhej të paraqitej në gjykatë, policia shkoi ta merrte në shtëpi, por ai nuk ndodhej aty. Pas kërkimeve, 43-vjeçari u gjet përsëri në një tjetër lokal.

Për shkak të shkeljeve të përsëritura të masës së sigurisë, gjykata vendosi ta ashpërsojë masën ndaj tij. Më 7 mars, me vendim të gjyqtarit të gjykatës së Bolonjës, karabinierët e Centos e arrestuan dhe e dërguan në burgun e Ferrarës në rrugën Arginone, ku do të qëndrojë në dispozicion të drejtësisë.