Klubi i Bylisit ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale zyrtare përsa i përket incidentit të ndodhur në Laç gjatë ndeshjes së kampionatit U-19, Laçi-Bylis. Ballshiotët akuzojnë dy zyrtarët e klubit kurbinas, Naim Halilaj dhe Kleo Laska që kanë goditur, nigerianin Ahmed Ibrahim Adepoju dhe Mirlind Bahaj, duke i ofenduar dhe akuzuar se luajnë për Partizanin.
Ky reagim vjen pasi ndeshja u mbyll me rezultatin 0-0 ndërsa rikujtojmë që kurbinasit pozicionohen në vendin e parë me 27 pikë, Partizani U19 me 25 pikë në të dytin dhe në vendin e tretë renditet Bylis me 17 pikë.
NJOFTIMI I PLOTË
Reagim!
FK Bylis dënon incidentin e ndodhur në Laç gjatë ndeshjes së kampionatit U-19, Laçi-Bylis. Gjatë gjithë lojës ka pasur tension, por sapo ka përfunduar ndeshja, dy zyrtarët e klubit kurbinas, Naim Halilaj dhe Kleo Laska, kur lojtarët po futeshin në tunelin e dhomave të zhveshjes kanë goditur, nigerianin Ahmed Ibrahim Adepoju dhe shqiptarin Mirlind Bahaj, duke i ofenduar dhe akuzuar se luajmë për Partizanin.
Si klub dënojmë aktin e rëndë, sidomos kur ndodh në një kampionat moshash dhe ne, as nuk shitemi, e as blihemi, pasi jemi në garë. Faza “Play-Off”” sapo ka nisur dhe jemi brenda objektivit, kemi shanset tona dhe do të luftojmë deri në fund të garës.