Klubi i Milanit në zi. Është ndarë nga jeta në moshë 89-vjeçare, Fabio Kudiçini, ish-portier i madh i kuqezinjve, i cili shkroi historinë e futbollit në vitet ’60 dhe njihej si “Merimanga e Zezë” për veshjen e tij dhe aftësinë për të bërë pritje të jashtëzakonshme.
Gjatë pesë sezoneve me fanellën kuqezi, ish-portieri grumbulloi 183 paraqitje dhe fitoi një kampionat (1967-68), një Kupë të Kampionëve (1968-69), një Kupë Interkontinentale (1969) dhe një Kupë Italie (1971-72).
Milani e kujtoi ish-portierin me një mesazh prekës në rrjetet sociale: “Rrjeta e Merimangës, në Zemrën tonë kuqezi. Përgjithmonë. Ka ndërruar jetë Fabio Kudiçini, kampion i gjithçkaje me Milanin, portier i madh dhe njeri i madh. Ngushëllimet e të gjithë kuqezinjve për djalin e tij Karlo, i rritur në klub, dhe për gjithë familjen. Lamtumirë, Fabio.”