Sport

E zbulon vetë pronari i klubit, pagë e jashtëzakonshme për Mesin në Amerikë

Jorge Mas, pronari i Inter Majami, ka zbuluar pagën e yllit të tij, Leo Messi. Sulmuesi argjentinas konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë e planetit futboll, dhe honoraret e tij janë në përputhje me këtë.

“Vlen çdo cent që i paguajmë” – ka deklaruar biznesmeni, sipas komenteve të mbledhura nga Bloomberg. Që nga ardhja e tij në Majemi, Mesi ka mbetur referenca më e lartë e futbollit. Për lojën e tij dhe për gjithçka që përfaqëson figura e tij për sportin modern. Tani, përtej magjisë në fushë, është lajm edhe për aspektin ekonomik.

“I paguaj Mesit mes 70 dhe 80 milionë dollarë në vit, nëse i mbledh të gjitha” – shpjegon drejtuesi. Megjithatë, në regjistrin e Raportit të Pagave të Lojtarëve të MLS për vitin 2025 figurojnë 12 milionë dollarë.

Shpjegimi i diferencës qëndron në një klauzolë të kontratës së tij, sipas “L’Equipe”. Për të shpjeguar diferencën, gjithçka lidhet me një marrëveshje të arritur mes Mesit dhe Inter Majemi në vitin 2023. Në të, u nënshkrua që ylli argjentinas të merrte një përqindje nga vlerësimi i klubit. Në atë kohë, ishte 550 milionë dollarë, ndërsa sot ka kaluar mbi 1.300 milionë. Edhe pse klubi nuk e ka zbuluar kurrë shifrën e saktë, ajo që merr Mesi vlerësohet të jetë rreth 60 milionë dollarë.