Pas Blendi Fevziut, kryeministri Edi Rama është përplasur në rrjetet sociale me gazetaren e kronikës së zezë, Klodiana Lala për situatën e përmbytjeve në vend.
Disa ditë më parë, gazetarja Lala ka publikuar një reagim lidhur me statusin e Edi Ramës ne X, ky i fundit shprehej se problem per përmbytjet ishte fakti se qytetarët hedhin mbeturinat ne rruge, c’ka sipas tij sjellin ‘taposjen” e grykave të kanaleve.
“Sigurisht që kur i hedhim plehrat e shishet plastike nëpër fusha e në anët e rrugëve të atdheut që e duam vetëm në stadium, vjen një ditë shiu me gjyma që i mbledh nga janë e nga s’janë dhe i dynd në det, po kur pastaj shiu është aq i furishëm sa ky i fundit, atëherë nuk e arrinë dot detin si zakonisht sepse gryka e kanalit taposet krejt, duke përmbytur dynjanë…”, shkruante Rama në X, duke nxjerr disa foto nga Shkozeti.
Por në reagimin e saj të 7 janarit, Klodiana Lala e ka quajtur Ramën si: “Mbreti lakuriq” dhe sipas saj, “Po te funksiononte inceneratori i Tiranes kete malin me plehra do e kishte djegur…”.
Rama e ka shmangur përmendjen e emrit të Klodiana Lalës në përgjigjen e tij, por nuk është kursyer kur flet për një “injorancë të ububushme” duke u përqendruar te ajo që ai e quan “prurjet e urrejtjes, shpifjes dhe dizinformimit”.
“Komentatori-torja është gazetar-tare të cili-cilës ia hoqa emrin se nuk më intereson asfare polemika personale, po fakti skandaloz që një zëdhënës-nëse e opinionit publik, me një injorancë të ububushme (nuk flas për etikën apo për shqipshkrimin se pastaj i bie të rritet shumë kërkesa) u thotë qytetarëve se inceneratori i Tiranës e ka fajin për shishet e qeset plastike që hidhen rrugëve të Shqipërisë, e që me erën e pastaj me ujrat e lumenjve bëhen kapica të jashtëzakonshme e zbresin e bllokojnë rregullisht grykërrjedhjet e kanaleve kullues apo ndotin plazhet e detet… PRA SIPAS TIJ/SAJ HIDHINI PLEHRAT KU TË MUNDENI SE FAJIN E KA INCENERATORI I TR”
“Normalisht një gazetar nuk urren, nuk shpif, nuk dizinformon, po lexon, informohet dhe informon, por fatkeqësisht lloji i parë shtohet e shtohet (tamam si prurjet e plastikës) në kanalet e informimit, ndërsa lloji i dytë pakësohet dhe publiku përmbytet përditë nga prurjet e urrejtjes, shpifjes e dizinformimit! Kollaj, të urresh, shpifësh, dizinformosh është kollaj, sepse nuk ka nevojë të lexosh, të mësosh, të kuptosh të vërtetën e të jesh i drejtë dhe i mirëartikuluar, ndërsa e kundërta, uh, e kundërta ka punë e mund të madh!”, shprehet Rama.
Pas reagimit të kryeministrit, gazetarja u rikthye me një status të dytë, kësaj here pa shumë metafora dhe me një sfidë të hapur.
“I paska dalë gjumi mbretit lakuriq… o mbret që sta tha njeri që je lakuriq prej 14 vitesh. Të sfidoj të më dërgosh një foto të inceneratorit të Tiranës që na ka gllaberuar mln euro. Pastaj me etiketo si të duash. Lëkura sholle na është bërë nga balta juaj! Nëse ke kurajo përballem në debat kur të duash PS. Moa harro në Durrës ke 1500 shtëpi dhe mijëra hektarë tokë nën ujë. Presin dëmshpërblim”.
Leksionet e gazetarisë janë një pasion i vjetër i Ramës, por pasi ka vënë në kontroll thuajse 90% të mediave në vend, ai ende bezdiset nga gazetarë të caktuar, ndaj të cilëve reagon me tallje dhe cic-mice në formë presioni.