Sport

“Egnatia është pa diskutim ekipi më i mirë i Superiores”, Daja pas humbjes: Bëmë të pamundurën të merrnim pikë në Rrogozhinë

Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, ka theksuar se ekipi i tij ishte ndëshkuar përballë Egnatias vetëm nga ajo situatë e minutave të fundit, e ndikuar edhe nga problemet me dëmtimet e mungesat që kanë blutë.

“Duhet të jemi më cinikë se edhe sot kishim rastet tona, por për pasin e fundit, nuk ishim efikas, qoftë në pjesën e parë, qoftë në të dytën. Me kontingjentin në dispozicion, ndërrimet ishin të detyruara, Guindo dhe Dita kërkuan ndërrim të detyruar. Futëm në lojë Lorran në një pozicion si mesfushor qendre se Qardaku ishte me katër kartonë dhe Beqja nuk është rikuperuar. Ajo që i duhet Dinamos është që të jemi me të qetë, pavarësisht trysnisë së rezultateve që nuk kemi marrë. Por duhet të kthejmë qetësinë dhe të jemi më cinik për rastet që krijojmë, qoftë për finalizim, qoftë për pasimin e fundit.

Sigurisht dëmtimi i Ditës është një forcë mangut, plus edhe në stature, treshja e fundit nuk ka staturë të mirë dhe me Ditën ndoshta mund ta neutralizonim atë situatë të fundit. Ajo që ndodhi në pjesën e dytë ishte që ranë dy sulmuesit tonë, Berisha dhe Guindo. Ajo që na vononte pak ndërrimin ishte se Malomo me Mustafa akoma nuk e dinë manovrën. Kanë pak kohë dhe Egnatia nuk është se ndryshoi vendosje, bënte rotacion me Fangajn, por gjithë kohës ishte me tre stopera. Kur zbriste numri 6, Fangaj futej para mbrojtjes, nga fillimi deri në fund përveç rotacionin apo spostimit të numrit 7 në krah.

Këtë pjesë edhe Malomo e Mustafa që u futën, nuk e kanë konsoliduar se sapo kanë ardhur. Ajo që vonon më shumë ndërrimet është fakti që statura e ekipit me mospraninë e Beqjes apo ndonjë lojtari tjetër, se edhe Qardaku në ajër është i mirë, bën të vuajmë në momentet e ndërrimeve. Por kemi bërë lojë goxha të mirë përballe ekipit më të mirë të Superiores, ndërrimet ishin në pozicion jonatyral. Nuk po flas për vlerë se nuk ul lojtarët e mi. Por ndërrimet në pozicione natyrale bënë që për ata të kishte freski ekipi pa prishur manovrën, gjë që për ne ishte më e zorshme për shkak të mungesave që kemi.

Shpresojmë që Dita të mos ketë ndonjë dëmtim që të lërë jashtë fushave, se do na prishte punë. Edhe në një moment që ne mund të spostonim Lorran në krah dhe Nezirin ta kalonim në qendër, meqë ishte konsumuar me marrjen e gjerësisë së sulmit në çdo aksion, do kishim tre me të majtën. E vetmja forcë në qendër ishte Teikseira, edhe Aliji pozicionohet mirë, por do kishim probleme me krosimet, siç erdhi goli në fund të ndeshjes. Të gjitha i kemi menduar, kemi bërë gjithçka për të dalë me pikë nga Rrogozhina, por futbolli ky është, mund të dënohesh edhe në minutën e fundit.

Ne përplaseshim në filtrin e parë me Guindon, Bregun e Berishën, me tre stoperat e tyre. Në momentin që do dilnim në tranzicion, vetëm Qefaliaj mund të vinte si forcë e katërt, apo një nga lojtarët e krahut. Realizuam tranzicione me treshen se ishim me tre qendrat e kundërshtarit dhe duhej patjetër t’i jepnim shpejtësi se 3 kundër 3, me gjysmën e fushës në dispozicion, me lojtarët që kemi, mund të rrezikonim Egnatian, këtë bëmë se e kishim përgatitur që të shfrytëzonim shpejtësinë me Berishën nga e majta, futjen në thellësi të Guindos, edhe Bregu që di të ndërtojë mirë sulmin e shpejtë. Gabuam në pjesën e parë që duhej të futnim më shpejt në lojë krahët, Nezirin apo Ismailin, që të rrisnim forcën mbështetëse e tre sulmuesit të ishin në zonën e golit.

Po të shihje në pjesën e parë, Egnatia kishte dy mbrojtës të djathtë, Neziri e kishte më të vështirë. Ishte Fangaj e Haime, që ia vështirësonin pak daljen Nezirit, ndërsa nga krahu tjetër e kishim pak më të thjeshtë se mos gabohem, numri 4 i tyre zbriste me vonesë për të plotësuar gjerësinë e mbrojtjes.

Të them të drejtën, futja e Vilës ishte ndërrim i detyruar se Guindo kërkoi ndërrim. Vilën e kishim ruajtur që nëse do na binte qendra, nuk kishim lojtar tjetër në atë pozicion. Por ndërrimi i Vilës me Berishën u bë për të freskuar më shumë pjesën e daljes me kundërsulm se erdhe Bernardi kishte shpenzuar më shumë. Pak më vonë Guindo kërkoi ndërrim për shkak të dëmtimit.

Po të shohim pa përmendur emrat, se nuk do merrem me ekipet kundërshtare, këtë e kanë vuajtur edhe 2-3 ekipe të tjera në kohë të ndryshme. Ajo që ne na e bën pak më të vështirë këtë gjë, është fakti se po mundohemi të kompozojmë edhe manovrën, edhe mënyrën e strategjinë që duhet të ndjekim me lojtarët që kemi në dispozicion. Me ndryshime pozicionesh, se po të shihni sot, Egnatia dy sulmuesit e krahëve dhe qendrat, Bakajoko nuk ishte fare, por Buriç ka qenë lojtar formacioni. Mendoj që pjesën e dytë, një element tjetër ishte pjesa e ndërrimeve ku kundërshtari ndryshoi në role natyrale.

Sa i përket vazhdimësisë, jemi brenda objektivave tona si klub, sigurisht nuk e kishim menduar këtë start në 2026.  Por ajo që na jep besim është që edhe kundër Egnatias që e theksova që përveçse kampion është padiskutim ekipi më i mirë i Superiores, luajtëm si të barabartë përveçse na dënoi ai goli i minutave të fundit me forcat që kishim në dispozicion”, tha Daja për RTSH pas ndeshjes.