Sport

Ekipi i dhuroi për ditëlindje 3 pikët ndaj Dinamos, Nevil Dede në ‘qiellin e shtatë’: Fiton ai që guxon, ja çfarë objektivi kemi

Ka përfunduar sfida mes Bylisit dhe Dinamos, e vlefshme për javën e 20-të të Superiores. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, përfundoi me fitoren 2-1 të vendasve. Pas kësaj sfide ka folur trajneri fitues, Nevil Dede.

“Kur djemtë mundohen të intepretojnë dhe shpërblehet me rezultat, kënaqesh. Kishim përballë një kundërshtar shumë të fortë, Ilir Daja është një nga më ekspertët e futbollit shqiptar. Falenderoj djemtë që sakrifikuar kundër lojtarëve që janë emrat më të rëndësishëm të Superiores.

Kemi kualitet. Berko ka pasur probleme në gju, por dha maksimumin e tij. 2-3 lojtarë të tjerë kishin gjendje gripale, si Ofori që sakrifikoi shumë. Por kemi alternativa. Jemi paksa të limituar në mbrojtje, ishim në dilemë prandaj e vonova dhe zëvendësimin. Dinamo kishtë zotërim topi më të mirë se ne. Por është edhe shprehja, kush guxon, fiton. Morëm një 3 pikësh shumë të rëndësishëm, duhet të bëjmë fitore që të paktën të shkëputemi nga fundi. Duke marrë vetëm barazime nuk ke frymmarrje dhe oksigjen.

Me Camara dhe Peraltën kemi punuar mirë nga portat, duke ditur që Dinamo është e fortë nga krahët. Megjithatë, sot ishim gati kokë më kokë në mesfushë me ta. Rezultoi deri diku e suksesshmë në pjesën e parë. Ndërsa në pjesën e dytë po vuanim disi. Abazaj dhe Ofori nuk kanë bërë dy seanca. Në fund fare edhe kundërshtari ka cilësitë e tij, patëm fat. Edhe Dinamo po ta fitonte nuk do thoja se na vodhi, por ky është futbolli, duhet të gabojë dikush që të fitojë tjetri.

Por duhet të eliminojmë disa gabime. Ne nuk fituam shumë sot, vuajtëm disi. Ne gjithmonë luajmë për të fituar edhe jashtë, nuk ia kemi dalë dot pasi kemi shpërdoruar raste. Objektivi ynë është që të largohemi nga fundi, e më pas të shohim si do të shkojnë gjërat. E mira s’ka fund, por edhe e keqja nuk ndalon kur të merr”, është shprehur Dede.