Lëvizja e parë e Dinamos në merkaton e dimrit është mbyllja e bashkëpunimit me mbrojtësin kroat, Mateo Muzek. Bëhet fjalë për një ndërprerje të kontratës me konsensus mes palëve.
Futbollisti 29-vjeçar erdhi te blutë në merkaton e verës dhe luajti 8 ndeshje të plota. Në fundin e fazës së parë ai u dëmtua dhe më pas u detyrua të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale në gju, çka do të thotë se mbrojtësi e kishte humbur thuajse gjithë sezonin aktual. Në këtë situatë, klubi kryeqytetas e ka parë të udhës ta mbyllë këtu bashkëpunimin me Muzek, pasi ka gjetur gjuhën e përbashkët me këtë të fundit. Kroati është një lojtar me eksperiencë të gjatë, ka luajtur në shumë kampionate europiane, si në Greqi, Armeni, Moldavi, Azerbajxhan, Kazakistan e deri në Skoci me St.Mirren. Para se të vinte te Dinamo, ai luante në Bosnjë Hercegovinë me Shiroki Brijeg. Aventura shqiptare e Muzek ka zgjatur vetëm disa muaj, e ndikuar nga dëmtimi i rëndë në gju.
MBROJTJA – Dinamo ka një kontingjent të plotë sa i takon qendrës së mbrojtjes, kështu që largimi i Muzek nuk i prish planet e stafit teknik të bluve. Dyshja titullare prej javësh përbëhet nga Dita dhe Aliji, edhe pse asnjëri prej tyre nuk e ka si rol natyral atë të qendërmbrojtësit. Të gatshëm janë edhe Rustem Hoxha, i rikthyer prej disa javësh nga dëmtimi, Agron Rufat dhe Antonio Miço. Këta të fundit janë aktivizuar shumë pak deri tani dhe pritet që të marrin minuta në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë me Erzenin, që luhet pas asaj të kampionatit me Bylisin.
KASMOLLARI – Edhe për merkaton në hyrje drejtuesit e Dinamos kanë synimet e tyre, por deri tani nuk ka lëvizje konkret. Ata po shohin disa profile lojtarësh për ato role ku kanë më shumë nevojë, më shumë si alternativa, pasi skuadra është e kompletuar. Një përforcim blutë po kërkojnë për mesfushën dhe deri në fundin e merkatos gjithçka mund të ndodhë. Një pistë për këtë repart është rikthimi i Oresti Kasmollarit, i huazuar te Pogradeci.
Lojtari 19-vjeçar është pjesë e Dinamos prej disa vitesh, por deri tani është huazuar. Ai luan si mesfushor me tipare mbrojtëse dhe me trajnerin Ilir Daja mund ta ngrejë nivelin e tij, duke marrë minuta gradualisht. Me kalimin e ditëve mund të dalin në skenë edhe alternativa të tjera për mesfushën, ku kampionët e dimrit kanë një kontingjent më të reduktuar se në repartet e tjera.