Partizani dhe Dinamo do të përballen këtë të shtunë me njëra-tjetrin për të luajtur derbin e kryeqytetit, sfidë e vlefshme për javën e 22 të Superiores. Ndeshja që do të zhvillohet në stadiumin “Arena e Demave”, nis në orën 16:30.
Në prag të kësaj sfide ka folur një ish i të dy ekipeve si Sebino Plaku. Tashmë në rolin e asistentit të Orges Shehit te Ballkani, Plaku flet për “Newsport.al” në lidhje me Dinamon dhe Partizanin, mundësitë e tyre për titull si dhe aventurën momentale që po kalon në Superligën e Kosovës.
Si një ish i Dinamos dhe Partizanit, në cilin ekip të kryeqytetit keni kaluar momentet më të bukura dhe pse?
Partizani është ekipi ku kam debutuar si profesionist dhesigurisht që është një kujtim i paharrueshëm për mua në karrierën time. Ndërsa Dinamo është ekipi ku arrita kulmin si lojtar i ri. Janë të pandashme dhe të pakrahasueshme.
Si i sheh këto dy skuadra në këtë sezon, ndonjëren prej tyre ndoshta si pretendente për titull?
I kam ndjekur të dy ekipet. Mendoj se të dy këto ekipe janë pretendentet kryesore për titullin kampion.
Cila mendon se është pika e fortë e Dinamos dhe ajo e Partizanit gjatë këtij sezoni?
Dinamo ka një grup cilësor lojtarësh dhe urinë e madhe për të kthyer aty ku i takon një ekipi si Dinamo. Në krahun tjetër, Partizani është në vazhdën e të qënurit një ekip që do të jetë gjithmonë në 4 më të mirët. Do të jetë gjithmonë aty edhe me ndryshimet që ka bërë në janar.
Nëse do të jepej mundësi të ishe trajner i njërës prej këtyre dy ekipeve, kë do të zgjidhje?
Di të them se do të kishte qenë një mundësi e jashtëzakonshme për mua.
Cilin nga lojtarët e Partizanit ose Dinamos do ta doje ta kishte edhe te Ballkani?
Të them të drejtën ka disa. Por do të veçoja Lorenco Vilën. Për këtë lojtar mendoi se ai nuk ka pasur mundësinë të arrijë potencialin që ai në të vërtetë ka dhe do doja ta ndihmoja ta bënte këtë gjë.
Le të flasim për aventurën tuaj të re, te Ballkani ndiheni më mirë se në Superiore?
Unë kam qenë pjesë e ligës së Kosovës dhe mbaj kujtimë shumë të mira nga këtu. Kam insistuar që ne si staf të jemi pjesë e kësaj lige. Na u dha mundësi për të qenë pjesë e një ekipi si Ballkani dhe jemi të lumtur. Gjithashtu jemi të uritur për të arritur sa më shumë suksese këtu.
Cilat janë synimet e tua për të ardhmen?
Objektivi jonë është që të gjithmonë të jemi kompetitiv dhe kërkues për të arritur sukseset. Ky është synimi dhe objektivi ynë. Besoj shumë se do arrijmë sukses me ekipin e Ballkanit.
A e mendoni se Ballkani do ia dalë të shpallet kampion pasi ka shumë konkurrencë këtë sezon?
Besojmë që do të jetë një sezon shumë i vështirë dhe i luftuar nga disa ekipe në Superligën e Kosovës. Ne kemi shanset tona dhe do i kërkojmë ato deri në ndeshjen e fundit, kjo është e sigurtë. Besojmë dhe do e kërkojmë titullin kampion edhe pse distance me ekipin kryesues është goxha e madhe. /Nikoll RAJTA/