Sport

EKSKLUZIVE/ Vizitat mjekësore “ngelin në klasë” 21-vjeçarin, Partizani i thotë “Jo” pasuesit të Hadrojit

Ismaila Sodiq ishte objektiv i Partizanit në këtë merkato dimri. Megjithatë të jesh pjesë e klubit të kuq, tanimë duhen kaluar një sërë hallkash, për t’iu përshtatur plotësisht nocionit “profesionalizëm”. Mbrojtësi i djathtë nuk do të mundë të jetë pjesë e të kuqve për këtë sezon futbollistik.

Edhe pse marrëveshja ishte thjeshtë çështje formaliteti, burime të besueshme nga spitali bëjnë me dije se 21-vjeçari nuk ka kaluar testet mjekësore. Kësisoj ky transferim nuk do të mund të realizohet. Të njëjtat burime tregojnë se anësori i linjës së djathtë vuan nga insufiçença kardiake. Një patologji e rëndë që asesi nuk do ta lejonte jo klubin, po as vetë futbollistin të zbriste në fushën e blertë.

Edhe pse Sodiq debutoi me kombëtaren e Nigerisë në verën e vitit të shkuar në kualifikueset e Kupës së Botës, drejtuesit e kuq kanë hequr menjëherë dorë nga kartoni i tij. Precedenti “Dëamena” ka vënë në lëvizje gjithë Superioren e për më tepër te Partizani që vizitat mjekësore janë pjesë e rëndësishme e protokollit të transferimit të një futbollisti.

Pritet me interes të mësohet se cila do të jetë lëvizja e radhës e të kuqve, që duhet të zëvendësojnë boshllëkun e Andi Hadrojit, i larguar në merkaton e dimrit.