Pasi biznesmeni i njohur shqiptar, Elton Ilirjani u shpreh se do të mundësojë një banesë të përkohshme për artisten Parashqevi Simakun, ky lajm e jo vetëm, mesa duket nuk është pritur mirë nga të gjithë.
Një reagim i fortë ka ardhur nga gazetari i njohur Bled Mane, jo për Eltonin por për popullin shqiptar.
Në një reagim të bërë në rrjet, Mane shkruan me ironi se nuk arrin ta kuptojë këtë dashuri të papritur të popullit shqiptar për Elton Ilirjanin, i cili disa ditë më parë “urrehej e baltosej masivisht”.
Reagimi i Bledi Manes:
“Qysh mbrëmë e deri sot ka pllakosur një dashuri e madhe kombëtare për Elton Ilirjanin, një emër i përveçëm i të drejtave të njeriut i cili fatkeqësisht para së shtunës datë 14 dhjetor e më mbrapa urrehej e baltosej masivisht. Të vetmet mëkate kishte fustanin që vishte, buzkuqin që lyente buzët dhe klithmën e thellë për liri dhe identitet seksual. Me përjashtime të guximshme që e mnronin tek-tul, masivisht kudo dëgjoje fyerje për të, lexoje sharje dhe mallkime pa fund dhe në fund e mbyllnin me varje apo vrasje. Elton Ilirjani nuk ka punuar kurrë në shtet, nuk ka vjedhur apo përlarë paratë publike, pavarësisht se është nga Tepelena nuk ka dalë kurrë me maska për të grabitur te ura e Memaliajt, nuk është vrasës me pagesë i bandave të Shkodrës, Vlorës, Elbasanit, Tiranës pra me një fjalë kanë dashur ta vrasin se ka dashur të dashurojë atë që ndjen pavarësisht se mund të jetë femër apo mashkull.
E ndërkohë që mitralozët ishin bërë gati për breshërinë vrastare ndodhi hataja. Eltonin sot e do një komb i tërë pse në mënyrë njerëzore dhe shembullore morri për dore nga rruga ku ishte braktisur yllin e këngës shqiptare Parashqevi Simaku. E puthi, e përqafoi, e lau, e strehoi, e ushqeu dhe po e ringre nga bataku ku ishte tretur.
Jam i sigurtë që do i japë edhe ndihmë klinike mjekësore, terapi shpirtërore dhe do ia rikthejë lavdinë dhe bukurinë e dikurshme. Ndërkohë që shumë mysybetër në Shqipëri deri dje e kërcënonin me jetë, sot po e hanë turpin me bukë. E shanin dhe e kërcënonin sepse gjenin veten e tyre te Elton Ilirjani, ia donin lirinë e madje e dashuronin por ngaqë nuk kanë kurajo ia shprehnin dashurinë me mallkime.
Ti Elton boll u dehe me lëvdatat por përvishju punës, kujdesu për Parashqevinë këto kohë dhe ejani në qershor në Tiranë e bashkë me Lali Erin, Blendi Gonxhen, Ervin Kurtin, Alban Malen dhe televizionin Top Channel ti organizojmë një super koncert në stadium bashkë me emrat e tjerë të mëdhenj Irmën, Kozmain, Liljanën, Erandën…”