Aktualitet

Eni Vasili nis ‘raprezaljen’, “Ustallesha” le pa rrogë prej dy muajsh 200 punonjës në RTSH

Drejtoresha e RTSH Eni Vasili që ‘sakrifikoi’ punën në televizion privat ku paguhej me shumë zero në fund, për të drejtuar Radio Televizionin Publik Shqiptar (kush e di pse?!); në krye të herës bëri një mini-mbledhje ku i siguroi të gjithë se nga emërimi i saj nuk duhej të ndihej i cënuar asnjë punonjës.

Secili të ‘shihte punën e vet’, sepse nuk do kishte shkurtime (siç bëri pararendësi i saj Peza) dhe askujt nuk do i bëhej padrejtësi.

Të gjithë menduan se duke parë rastin e Fredit, drejtoresha e re, ‘do kishte zënë mend’, por nuk qe e thënë.

Siç e kanë këto punë, sidomos kur bëhet fjalë për Enin, ‘e vjetër në zanat’, ‘fjalët i mori era’ dhe mësohet se 200 punonjës, të cilët janë me kontratë me RTSH kanë dy muaj pa marrë rrogën.

Mes tyre ka drejtues emisionesh, të cilët dalin në ekran, por nuk paguhen. Të lodhur nga kjo situatë, disa prej punonjësve i janë drejtuar anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH, por përveç arrogancës, nuk kanë marrë tjetër përgjigje.

Drejtoresha që ende nuk ‘ka ngrohur mirë karrigen’ ka gjetur një strategji për t’i “përzënë me stil”: nuk i paguan prej dy muajsh.

Meqë ajo është ‘shpirt-gjerë’ dhe nuk heq njeri nga puna, këta 200 punonjës (që përkthehet në 200 familje) duhet të largohen vetë.

Sigurisht që, të mërzitur prej kësaj situate, punonjësit mund të ikin nga puna, por jo pa kosto. Secili prej tyre mund ta çojë çështjen në dyert e gjykatave dhe të fitojë, pasi kanë një kontratë të firmosur. E si gjithmonë, tipave si Eni nuk i hyn ‘gjemb në këmbë’. Ata që paguajnë për padrejtësitë e ‘Enërave’ “kudo që ndodhen”, janë qytetarët. /Pamfleti