Kronikë

Ervin Karamuço zbulon kush është “truri” i krimit në Shqipëri!

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, theksoi se raportet e huaja e nxjerrin krimin me origjinë nga Shqipëria si nënkontratkor dhe jo si “koka” e grupeve, siç pretendohet rëndom nga publiku.

Sipas tij, frazat kur thuhet që shqiptarët kanë pushtuar sheshet e Romës për trafikun e drogës janë totalisht të gabuar, sepse në thelb asgjë nuk është e vërtetë.

I ftuar në emisionin “Real Story”, ai theksoi se tregun e trafikut të drogës e kontrollojnë grupet italiane si Camorra apo Ndragheta.

“Historia e kriminalitetit italian e fut Shqipërinë si prestanome dhe si nënkontraktor. Kam vënë re shumë raporte këto vite, që prokurorët e antimafias qeshin, kur i janë thënë raportet tona, se ne i bëjmë vetë nganjëherë kurth vetes kur themi se “shqiptarët kanë pushtuar sheshet e Romës për drogë”. Kush të lë në Romë në ty?  Kush të lë Camorra apo Ndragheta? “, tha ai.

Ai shtoi se sa i përket vendit tonë, truri i krimit të organizuar është qytetit i Fierit. Sipas Karamuços, grupet kriminale shqiptare bien në kurth në momentin kur ato ekspozohen apo dhe kur krijojnë lidhje me eksponentë të politikës si në nivel lokal ashtu dhe atë qendror.

“Truri tradicional i krimit të organizuar në Shqipëri është  Fieri. Problemi është që këto janë celula, që hidhen  në punë kur gjejnë marrëveshje, negociata me grupe e mëdha. Në momentin kur ti ekspozohesh dhe gabimi që ti bën që atashohesh në biznes dhe kërkon nxitjen dhe mbështetjen e eksponentëve të caktuar politikë lokalë dhe qendrorë, aty pastaj është një kurth i madh”, shtoi ai.