Politikë

Ethet e qeverisë së re, Braçe ‘thumbon’ kolegët: Në këtë vend të gjithë presin të bëhen ministra

Deputeti socialist Erion Braçe ka zgjedhur të thumbojë ashpër kolegët e tij, në një postim që duket më shumë si një reflektim i hidhur për sistemin që vetë i përket. Teksa mazhoranca po përgatitet të prezantojë qeverinë e re të enjten, Braçe nuk ka kursyer ironinë ndaj burokracisë shqiptare dhe etjes për poste.

Duke cituar librin “Të poshtëruar” të autores Lea Ypi, ai rikthen vëmendjen tek Tirana e 100 viteve më parë, ku sipas tij, duket se asgjë nuk ka ndryshuar. “Nuk punon njeri në gusht jooo,” shkruan Braçe, duke e krahasuar këtë situatë me pritjen për dëborë në verë. Ai kritikon mentalitetin e zyrtarëve që nuk funksionojnë përveçse kur janë në garë për t’u bërë “ministër, drejtor, përgjegjës apo shef i madh-i vogël”.

Postimi vjen në një moment kur PS dhe kryeministri Rama pritet të zyrtarizojnë ndryshimet në kabinetin qeveritar; një proces që ka ndezur ethet e emërimeve në radhët e administratës publike dhe partisë. Braçe, ndonëse pjesë e kësaj strukture, përshkruan një realitet ku njerëzit “bërtasin se s’ka shtet” ndërkohë që vetë janë pjesë e kaosit dhe amullisë institucionale.

Postimi i Braçes

Libri shqiptar i Lea Ypit. Faqet e mesit.

Thuajse 100 vjet më parë, i njëjti vend – Shqipëri, i njëjti qytet – Tirana, të njëjtat zyra publike.

“Nuk punon njeri në gusht jooo, të presësh nga zyrat e shtetit të të shërbejnë në gusht është si të presësh dëborë në verë.”

100 vjet më pas, një herë në dy vjet është edhe më keq;

Çdo zyrtar shteti pret kush do bëhet ministër, pastaj drejtor, përgjegjës, shef i madh-i vogël, shef;

Pastaj rrëmuja e organizuar – e përjetshme e Tiranës, zhurma e saj;

Pastaj të gjithë të gjithditurit që bërtasin në trafik e jo vetëm “nuk ka shtet”;

Lexoj dhe pyes;

Nuk ka ndryshuar hiç gjë prej pas osmanëve, apo kjo është forma e kritikës edhe për dje, edhe për sot?