Aktualitet

Euro forcohet ndjeshëm ndaj lekut, çfarë po ndodh me kursin e këmbimit?

Këtë javë, tregu valutor është karakterizuar nga lëvizje të pazakonta, me të gjitha monedhat që janë forcuar kundrejt lekut. Megjithatë, euro ka shënuar rritjen më të shpejtë, duke arritur vlerën e 100 lekëve. Vetëm gjatë ditëve të fundit, monedha europiane është rritur me rreth 3 lekë, duke prekur nivelin më të lartë që prej korrikut të vitit të kaluar.

Po cilat janë arsyet e këtij forcimi të papritur të euros?

Sipas agjencive të këmbimit valutor, një nga faktorët kryesorë është rritja e sasisë së lekut në qarkullim. Kjo vjen si pasojë e pagesave të bëra nga qeveria për prokurimet e fundvitit. Nga ana tjetër, oferta për euro është tkurrur për shkak të rënies së numrit të turistëve, një tendencë e ndikuar edhe nga përkeqësimi i motit. Paralelisht, bizneset kanë shtuar kërkesën për euro për të kryer blerjet e fillimit të sezonit, çka ka ndikuar në rritjen e vlerës së saj.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në raportin e tij të fundit për Shqipërinë, paralajmëron se një rikthim i kursit të këmbimit në nivelet e vitit 2022, kur euro ishte mbi 120 lekë, mund të ketë pasoja negative për sektorin financiar, bizneset dhe familjet. Një rritje e tillë do të shtonte kredinë me probleme, duke qenë se një pjesë e madhe e huave janë në valutë.