Aktivistja shqiptare Evi Kokalari, ka reaguar pak pas lirimit të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook (27 Nëntor), hedh poshtë pretendimet e demokratëve se ndryshimi i masës së sigurisë për ish-kryeministrin ka ardhur me indicie të administratës së presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.
Sipas Kokalarit, lirimi i Berishës “ka ardhur me urdhër të kryeministrit Edi Rama, me qëllim për të legjitimuar zgjedhjet e vitit të ardhshëm”.
Ajo thekson se vendimi i marrë nga Gjykata e Posaçme këtë të mërkurë nuk ka asnjë lidhje me sanksionin e vendosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Sali Berishës.
Në reagim ka përmendur edhe njëherë akuzat e bëra përsa i përket ndërtimit të kullës së “Mali i Tiranës”, ku më herët është shprehur se “ky projekt është kaq i madh, sa në këmbim kanë shitur edhe zgjedhjet e 14 majit”, të vitit të kaluar. Madje në denoncimet e saj Kokalari ka thënë se në tavolinë kanë qenë pjesë pazari edhe këto të 2025-ës.
Gjykata e Posaçme pranoi sot kërkesën e avokatëve të Sali Berishës për rrëzimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj ish-kryeministrit. Ky vendim është marrë gati 11 muaj pasi lideri i demokratëve u vendos në izolim në apartamentin e tij, për dosjen “Partizani”, me akuzën e korrupsionit pasiv.
Postimi i Kokalarit:
“Miq dhe militantë! Berisha ta gezojë lirinë se dhe në atë moshë, nuk ka kuptim, por Amerika dhe administrata e re e Donald J. Trump s’ka asnjë lidhje me vendimin e gjykatës së Ramës. Berisha po lirohet që të legjitimojë pikërisht fitoren e këtij të fundit në 2025, megjithëse planet ju janë bërë pak lëmsh tashti, që Grenell nuk u bë Sekretar Shteti.
Gjithashtu, ky vendim sot nuk ka asnjë lidhje me non-gratën. Personalisht, më intereson vetëm investigimi i Kullës së Malit. Për atë më bën mua kurban dhe atë çorbë do ta hanë me lugë dhe me pirunjë!”.