Aktualitet

Fajde moderne nga IuteCredit: Merr 6 milionë lekë kredi dhe paguaj mbi 11 milionë

Oferta tregon se IuteCredit ofron kredi deri në 600,000 lekë të reja me afat 60 muaj, ku kësti mujor është 19,119 lekë. Por në total, kjo shifër arrin 1,147,140 lekë të reja (rreth 11.5 milion lekë të vjetra), pasi norma efektive e interesit (NEI) arrin deri në 54.65%. Kjo tregon qartë se huamarrësi paguan dyfish e më shumë se shuma e marrë, pa e kuptuar fare rrezikun e kësaj skeme.

Dy vite pas skandalit të mikrokredive ku një qytetar shkoi drejt vetëflijimit nga presioni financiar dhe psikologjik, situata në terren tregon se skemat e huasë me interes të lartë, fajde moderne, nuk janë tkurrur. Përkundrazi, ato kanë marrë forma më të sofistikuara dhe kanë shtrirë aktivitetin e tyre në mënyrë të organizuar në të gjithë vendin.

Në tregun e mikrokredive në Shqipëri operojnë institucione si IuteCredit, Kredo al, NOA Finance, Fondi BESA, Final, Microcredit Albania, të cilat, sipas denoncimeve të qytetarëve, funksionojnë si një rrjet i mirëorganizuar financiar me qëllim të vetëm zhvatjen dhe vjedhjen e tyre. Për shumë familje, këto institucione përkthehen në një mekanizëm shkatërrimi ekonomik dhe social, ku huamarrësi futet në borxhe të pashlyeshme përmes një sistemi që në thelb punon si fajde e institucionalizuar.

Një qytetar i është drejtuar redaksisë për të denoncuar ofertën e fundit të IuteCredit, “Kredi për biznesin tënd”. Sipas tij, kjo formë mikrokredie është një mashtrim i hapur dhe një vjedhje ndaj qytetarëve.

Oferta tregon se IuteCredit ofron kredi deri në 600,000 lekë të reja me afat 60 muaj, ku kësti mujor është 19,119 lekë. Por në total, kjo shifër arrin 1,147,140 lekë të reja (rreth 11.5 milion lekë të vjetra), pasi norma efektive e interesit (NEI) arrin deri në 54.65%. Kjo tregon qartë se huamarrësi paguan dyfish e më shumë se shuma e marrë, pa e kuptuar fare rrezikun e kësaj skeme.

Në këtë rast shqetësimi kryesor nuk është vetëm niveli i interesit, por edhe mungesa e transparencës pasi në një shtet të së drejtës, një kredi e vogël nuk duhet të shndërrohet brenda pak muajsh në një borxh të papërballueshëm, pa informim të qartë dhe pa mundësi ankimi.

Skemat e mashtrimit dhe zhvatjes nëpërmjet mikrokredive janë të shumta dhe të ndryshme, por synimi kryesor mbeten familjet me të ardhura të ulëta dhe pa shumë informacion mbi procese të tilla. Janë raportuar me dhjetëra raste të tilla nga IuteCredit dhe institucione të tjera të mikrokredive, të cilat nëpërmjet presionit dhe kompanive të përmbarimit, shtyjnë shqiptarët drejt akteve ekstreme dhe borxheve të pafundme.

Ndërkohë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në vend që të marrë përgjegjësi për këtë megaskandal, që s’ka të ndalur, del në media duke deklaruar se ka ulur normën e interesit, ndërkohë që qytetarët vazhdojnë të vuajnë pasojat e borxheve nga këto skema fajdesh që mund të konsiderohen lehtësisht të legalizuara pasi asnjë gjemb s’u hyn në këmbë nga shteti.

Denoncimi i qytetarit:

“Pershëndetje JOQ, të lutem publikoje se ky është turp dhe zhvatie e popullit nëse merr kredi 600,000 leke të reja i paguan për 60 muaj thonë këta kësti mujor 19.119 lekë të reja në muaj dmth 19.119 x 60 muaj = 1,147,140 dmth këta japin 6 milion lekë të vjetra dhe të marrin 11 milion e 500 mijë lekë të vjetra. Të lutem publikoje se një mik imi që punon tek ju me tha që po marin kredi njerëz që nuk kanë informacion dhe nuk ja kanë idenë sa e rrezikshme është si kredi dhe pasojat që mbart. Publikoje për popullin e thjeshtë se gjynah po i marin mëqafë njerëzit këto mikrokredi po ua pinë gjakun.