Opinion

“Fajin nuk e ka TikToku por konteksti në të cilin ai përdoret”/ Vetëvrasja e Sibela Abedinit, shpërthen akademiku Fuga thumbon programet televizive

Për vetëvrasjen e 27-vjeçares Sibela Abedini nga kërcënimet e Tik-Tokerit Altin Çoku se do ti shpërndante foto intime ka reaguar edhe akademiku Artan Fuga.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social ‘Facebook’, Fuga i drejton fajin edhe programeve televizive pasi sipas tij qimen e bëjnë buall me diskutime nga të ftuar të ndryshëm si psikologë apo sociologë.

Postimi i plotë i Fugës:

Vetëvrasjet dhe TikToku

Më shumë sesa ka vetëvrasje për shkak të ndikimeve nga aktiviteti i viktimave në TikTok, ka një dëshirë të madhe për të diskutuar për këto raste duke e bërë qimen buall.

Dëgjoj në studio tv gjoja psikologë, gjoja sociologë, që diskutojnë pa asnjë profesionalizëm për këtë platformë.

Mbi të gjitha ngatërrojnë platformën, kanalin, me përdorimin e tij.

Eshtë njësoj sikur një motorrist i dehur hipur në një Vespa të marrë përpara nja tre a katër dele të një bariu dhe fajin të mos ja vësh motoristit por Vespas!

Ose dikush të sulmojë me bisht çadre dikë dhe fajin t’ja vendosësh bishtit të çadrës sepse po të mos kishte bisht çadre nuk do ta kishin rrahur atë tjetrin me bisht çadre!

Në fakt disa ngjarje sporadike kanë qenë të dhimbshme, madje makabre, ose edhe shtazarake.

Si është puna duke parë këto raste?

Nga njëra anë ka shumë individë te ne që ndodhen në një fazë kalimtare. Nga njëra anë vijnë nga disa tradita shumë të ngurta, tradicionale, ku turpi luan një rol tepër të madh, mjedise konservatore lidhur me dashurinë, trupin, marrëdhëniet seksuale, etj., por nga ana tjetër këta individë aktualisht jetojnë në mjedise sociale liberale, jashtë një kontrolli të ngurtë familjar dhe sidomos nën impulsin e dëshirave të tyre trupore.

Prandaj, disi fshehurazi bëjnë një jetë sipas dëshirave të tyre, krejt normale fundja, dhe nga ana tjetër sigurisht nuk duan që kjo jetë personale të merret vesh nga mjedisi i tyre shoqërror ose familjar. Kanë të drejtë.

Mirëpo TikToku dhe telefoni celular me kamerën e tij, sikurse edhe rrjete të tjera sociale, i filmojnë këto çaste intime, dhe duke ditur pasojat mbi viktimën, për shantazh, partneri ose kushdo, i editojnë, postojnë pamjet filmike.

Intimja del në pazar, individualja bëhet publike.

Në këtë çast individi i prekur përjeton krizën e rëndë. I duket vetja si fajtor, i kapur me presh në duar, i duket vetja hipokrit, etj. Armiqtë e tij duke e ditur këtë e godasin pikërisht aty. E bëjnë edhe më shumë fajtor, e akuzojnë si pa moral, si thëngjill të mbuluar, si njeri pa din e pa iman!

Nga kjo kontradiktë ka njerëz të cilët nuk e përballojnë presionin dhe shkojnë ndofta edhe në akte ekstreme.

Pra, fajin nuk e ka TikToku por konteksti në të cilin ai përdoret. Edukata e përdorimit të tij.

Platforma përdoret në këto raste jashtë mjedisit kulturor ku ka lindur dhe ka vendin e vet.

Se me thënë të drejtën në një vend me kulturë liberale një femër që e nxjerr dikush në TikTok duke mbështetur kokën në kraharorin e një mashkulli me të cilin ka festuar shën Valentinin në shtrat, jo vetëm kujt nuk do t’i shkonte ndërmend ta bënte këtë idiotësi tiktokiane, jo vetëm që publiku do të ishte krejt indiferent ndaj një fotoje të tillë, por edhe personi i nxjerrë në TikTok, viktima, do të thoshte me zë të lartë: A ç’më çani trapin o idiotë! Ytttt perversë!