Politikë

“Fake news” për call center tek kulla “Alban Tower”, reagon Taulant Balla: Kishte dalë bufi me sorrat me lajme të rreme! Unë ja kam marrë dorën këtyre

Mbrëmjen e djeshme, në kuadër të një hetimi të përbashkët me autoritetet italiane, është zhvilluar një operacion në kryeqytet, konkretisht në kullën e njohur “Alban Tower”, përballë Kishës Ortodokse.

Paraprakisht, bëhet me dije se në këtë godinë 24 katëshe, të paktën sipas lejes së ndërtimit, kanë zyrat disa biznese të njohura dhe ndër to edhe një “call center”.

Pas publikimit të lajmit në rrjetet sociale, në disa media qarkulluan me shpejtësi aludime të pavërteta, sipas të cilave motra e Taulant Ballës qëndronte pas subjekteve të kontrolluara mbrëmjen e kaluar nga SPAK-u.

Lidhur me këto lajme të rreme, ka reaguar mëngjesin e sotëm Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, përmes një videomesazhi në rrjetet sociale. Ai theksoi se “fake news”-et përbëjnë një problem serioz shëndetësor për shoqërinë dhe demokracinë.

Gjithashtu Balla është shprehur se është mësuar të përballet me sulme dhe lajme btë pavërteta, duke theksuar se përhapja e tyre mbetet një rrezik serioz për shoqërinë.

“Gënjeshtra udhëton shpejt, por e vërteta mbërrin gjithmonë. Në një kohë kur lajmet e rreme përhapen me shpejtësi alarmante, dëmi që ato shkaktojnë është real: keqinformim, zemërim dhe humbje besimi. Çdo klikim, çdo shpërndarje pa verifikim i jep forcë gënjeshtrës. Prandaj, të ndalemi, të kontrollojmë burimin dhe të mendojmë kritikisht është një akt përgjegjësie qytetare. E vërteta nuk ka nevojë të bërtas, ajo qëndron dhe kur zëri i saj është pak më i qet. Ah se harrova, kishte dalë bufi me sorrat me lajme të rreme prej mëngjesit meqë ai i mbrëmshmit kishte qene i rremë. Unë ja kam marrë dorën këtij maskarai por lajmet e rreme janë një problem shëndetësor i rëndë për shoqërinë dhe demokracinë të cilat duhen kuruar dhe gjetur ilaçe për t’i trajtuar”, u shpreh Taulant Balla.