Kulturë

Faslli Myrtollari: Demir Zyko, një përfaqësues dinjitoz i polifonisë toske

Faslli Myrtollari: Demir Zyko, një përfaqësues dinjitoz i polifonisë toske

Duke dëgjuar këngët e Xha Demirit. Kujdes !… e e e… ë ë ë… o o o …o i -oi…io o, nuk janë thjesht zanore e togje zanoresh gjuhësore. Përsëri kujdes! Janë nota muzikore të pakapshme nga pentagrami e repertori i elitave muzikore. Janë dhjetra variante kombinimesh melodike ulje – ngritjeje. Vizuale e drejtvizore jo e jo. As thjeshtë vertikale e ovale apo të lakuara. Janë shkrirje notash muzikore që vetëm Demir Zyko di t”i realizojë e nuk ka aparat teknologjik që t’i matë e përcaktojë qartë.

Janë melodi të mahnitshme pa vegla e instrumente muzikore. Dalin nga gryka, laringu, pejzat e zërit, qiellza e buzët e këtij mjeshtri të paarritshëm e të pakrahasueshëm me dikë tjetër. Habiten e do të çuditen tërë kohës studiuesit e auditoret muzikore të vendit dhe të tjerët nëpër kontinente. Vërtet tingujt zanorë melodiozë dalin nga organet anatomike të të shprehurit, por përpunohen njëkohësisht në tru, në mendje e në shpirt, në mimikë e gjeste që të sugjestionojnë.

Po fjalët ?! Nuk ka nevojë të përqendrohesh t’i kapësh gjysma- gjysma e fraza-frazazash. As për t’ i dëgjuar për së dyti a për së treti për t’i ngulitur në memorie. Për kënaqësi,po. Me dhjetra herë mund t’i dëgjosh. Xha Demiri i shqipton fjalët aq qartë e pastër sa as aktorët më të mirë nuk i afrohen timbrit të kulluar të zërit të tij. Kënga ka tonalitetet e vibracionet e saj.

Të larta si malet e shkrepat, të shtruara si fushat e gjera pa anë, si deti e thellësia e tij, por edhe si humnera e gremina të thepisura me hone e jehona marramendëse. E dëgjon dhe mendja merr udhë e fluturon në peizazhe natyrore me diell e hënë, me borë, shi e furtunë, me vetëtima e shktepëtima, me lloj -lloj lule lëndinash, korije lisash e me pisha të larta si dhe nëpër pllaja lajthish të Gjerbësit nëpër vende të ashpra, por të ëmbla malore.

E dëgjon e të ravijëzohen portrete njerëzorë që nga heronjtë dhe prijësit e lavdishëm e deri te ai punëtori e fshatari i thjeshtë që lëron tokën me parmendë. Nuk ka qibër Xha Demiri. Sa thjeshtë aq edhe madhërishëm. Demir Zyko i Skraparit ishte dhe një estet i mirëfilltë autokton. Mishëronte pa mëdyshje shijen artistike mbarëpopullore. Do të përurohej një vepër pamore bazoreliev murale e një rëndësie kombëtare. Një monument i përmasave të mëdha e afishuar për sytë dhe vëmendjen e të gjithë vizitorëve vendas e të huaj. Skulptorët, piktorët e gjithë grupi realizues ishin në dilemë a do të pëlqehej nga masa e gjerë. Duke i shkuar krahun e marrin në xhiro e i thonë:

-Pa shiko atë pamjen atje ! Xha Demiri ngriti kokën. Vuri pëllëmbën si strehë mbi ballë për ta soditur më mirë.

Qëndroi një çast, përplasi shkopin në trotuar e me sytë që i shkëlqenin, tha:- Qysh e paska bërë, o mi lumtë ajo dorë! Kaq u desh e nuk kishte nevojë për komision vlerësimi e miratimi. Faleminderit Xha Demiri që përjetësove këngën polifonike tradicionale toskërishte. Jo vetëm tek brezi juaj tek bashkëkohësit e sotëm, por edhe te gjeneratat e reja që do të vijnë. E ke kryer si askush tjetër detyrën atdhetare për trashëgiminë kulturore shqiptare që shpërfaqet dhe në skenat e ekranet botërore. Po ne që të dëgjojmë, që kënaqemi që çlodhemi, që ripërtërihemi marrim energji e krenohemi ç’duhet të bëjmë?! Mjeshtri tjetër i vargjeve i papërsëritshmi Xhevahir Spahiu, ka një poezi “ Borxhet e mia”.

Pasi numëron shlyerjen e borxheve ndaj të tjerëve në fund thotë:

-Po ju çfarë borxhesh më kini ?!

Eh, Xha Demiri! Nuk t’i shlyejmë dot borxhet që të kemi, por një monument madhështor si Tomorri duhet ta ngrejmë atje në Gjerbës bashkë me shokët që të shoqëronin nëpër skena e festivale. Atje, në mes të qendrës së Skraparit,në Çorovodë, duhet të ngrihet një qendër monumentale ku të jehojë kënga juaj bashkë me xha Medi Kushen e Koprënckës. Këto janë pak, fare pak. Të jemi shumë borxhli!