Mbrëmja e 20 shkurtit nuk ishte e këndshme për Tetem Toraj, i cili e pa veten të “mbërthyer” nga deputetët e Partisë Demokratike. Teksa kalonte pranë xhamisë së Namazgjasë, në orarin e protestës së PD-së, i riu mallakastriot u gjend para një situate kaotike bashkë me shokun e vet.
Flamur Noka pretendoi se ishte agjent i infiltruar i policisë, ndërsa nuk kurseu as dhunën ndaj tij. Edhe pse Toraj i tregonte se nuk kishte lidhje me uniformat blu, bindja e çuditshme e deputetëve opozitarë i vuri para një përgjegjësie tashmë penale.
Siç është lajmëruar nga Policia e Tiranës, i riu bashkë me shokun e tij kanë bërë kallëzim ndaj deputetëve Flamur Noka dhe Xhelal Mziu. Dhe në fakt në një hulumtim të shpejtë në kanalet zyrtare të regjistrimit të bizneseve, rezulton se Toraj nuk ka lidhje aspak me policinë. Ai është pronar i dyqaneve luksoze të purove në Shqipëri të njohur ndryshe me emrin “2T”.
Edhe pse mallakastrioti i vuri një afat prej disa orësh Flamur Nokës për të kërkuar falje për veprimin e bërë, deputeti i PD-së as e vuri ujin në zjarr. Tashmë është detyrë e organeve kompetente për të hetuar rastin në fjalë referuar kallëzimit të 29-vjeçarit si dhe shokut të tij me inicialet K.M.
Mjafton një nagivim i thjeshtë në rrjetet sociale dhe arrin të shquash, veprimtarinë e Torajt, me biznese të ngritura kryesisht në Tiranë. Një fakt që tregon se deputetët opozitarë nuk ishin të mirëinformuar për personat që përfaqësonin Policinë e Shtetit me dhe pa uniformë atë mbrëmje të 20-shkurtit.
Ndërkaq, pas incididentit në njoftimin e policisë thuhej: “Specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit F. N. dhe Xh. M., pasi ndaj tyre kanë kallëzuar shtetasit K. M. dhe T. T. se, më datë 20.02.2026, gjatë tubimit të zhvilluar nga subjekti politik Partia Demokratike, janë shtyrë dhe goditur prej tyre”, thuhet në njoftimin e Policisë”.
