Trajneri italian, Andrea Agostineli, i përgjigjet Ardit Hoxhajt, ndërsa thotë se e kupton zhgënjimin e tij. Pavarësisht se sulmuesi vlonjat e akuzoi se i prishi karrierën te Skënderbeu dhe së fundmi te Flamurtari, italiani i kujton se koha i ka dhënë të drejtë në zgjedhjet e tij, teksa kuqezinjtë kishin sulmin më të mirë të Kategorisë së Parë.
Gjatë një interviste ekskluzive për “Panorama Sport”, nga Roma ku ai banon, trajneri Andrea Agostineli flet edhe për Flamurtarin e sezonit të ri. Ai thotë se nuk e njeh trajnerin e ri Karlos Garsia, por uron që të ketë të njëjtat rezultate që kishte Flamurtari i tij. Por një këshillë e ka: “Të marrin lojtarë të uritur”. Agostineli nuk e fsheh se do të kishte dashur t’i drejtonte edhe në Superiore kuqezinjtë. Italiani thotë se ndihet kuqezi në zemër dhe se e do shumë Vlorën, klubin dhe tifozët.
Agostineli, sulmuesi Ardit Hoxhaj ju ka akuzuar se ju keni dashur t’i prishni karrierën te Skënderbeu dhe së fundmi te Flamurtari. Keni një përgjigje për t’i dhënë?
Më duket se sulmuesit e ekipit, duke qenë sulmi më i mirë i kampionatit me më shumë se dy gola për ndeshje, nuk bënë keq. Unë nuk i uroj asnjë të keqe Arditit. Në fakt, e kuptoj zhgënjimin e tij, por unë jam trajneri dhe për fat të keq kjo punë i bën disa të lumtur dhe të tjerët jo.
Flamurtari, javën që shkoi, emëroi trajner spanjollin Karlos Garsia. A e njihni këtë trajner?
Jo, nuk e njoh! Shpresoj të marrë të njëjtat rezultate si unë.
Mendoni se do të ketë një sezon të suksesshëm Flamurtari në Superiore?
Nuk e di! Nuk është e lehtë të thuhet ose të parashikohet. Unë dua të theksoj se historia e Flamurtarit tim, më falni nëse e përdor këtë term, është një histori shumë e rëndësishme për të bërë një kampionat të suksesshëm dhe të madh, sikundër e bëmë duke e ngjitur skuadrën në elitë. Nuk bëmë një kampionat anonim.
Keni ndonjë këshillë se çfarë duhet të bëjë klubi për merkaton?
Do të doja që të gjithë ta dinin sa shumë e doja këtë ekip dhe ngjyrat kuqezi. Nuk kam asnjë këshillë për t’i dhënë askujt përveçse të marrë lojtarë që janë “të uritur” dhe që duan të japin maksimumin për suksesin e këtij ekipi në të ardhmen. Sigurisht, unë jam i kënaqur që e shikoj Flamurtarin në Superiore, aty ku ajo skuadër e ka vendin. Një emër i madh si Flamurtari i mungonte elitës së futbollit shqiptar.
Do të kishit dëshirë ta drejtonit Flamurtarin në Superiore?
Flamurtari mund të ketë zgjedhur një trajner të mirë, por unë do të kisha qenë i lumtur t’i stërvisja ata në Kategorinë Superiore. Nuk mund ta fsheh këtë ndjesi. Padyshim që do të doja të isha unë trajneri. Nuk mendoj se nuk kam përvojën dhe aftësinë për karrierën që kam pasur. Një përqafim për të gjithë. Jam kuqezi me zemër. Me padurim pres të shihemi së shpejti. E dua shumë Vlorën, klubin dhe të gjithë njerëzit aty, si dhe tifozët. Janë të gjithë të veçantë. Ju kam në zemër!
21 fitore, 5 barazime, 3 humbje dhe golavarazh 59-18, është bilanci i Flamurtarit, të drejtuar nga trajneri Agostineli në 29 javë kamapionat.
Sulmuesi vlonjat
Ja shpërthimi i Hoxhajt ndaj trajnerit italian
Ardit Hoxhaj ka shpërthyer pas largimit nga Flamurtari. Sulmuesi vlonjat ka shigjetuar Andrea Agostinelin për trajtimin ndaj tij. 30-vjeçari u rikthye në verën e kaluar te Flamurtari, por minutat ishin të pakta. Për këtë, Hoxhaj kujton se Agostineli ka ndikuar tek ai edhe kur luante te Skënderbeu. Shpërthimi dhe divorci i Ardit Hoxhaj është bërë i ditur përmes një postimi, që sulmuesi ka bërë mbrëmë në profilin e tij në rrjetet sociale. Ja postimi i Ardit Hoxhajt: “Përshëndetje! Dua t’ju bëj me dije se nga sot (dje) nuk jam më pjesë e ekipit të Flamurtarit dhe jam lojtar i lirë. Dua të falënderoj presidentin e ekipit, Sinan Idrizi, për mundësinë e dhënë, që të jem pjesë e Flamurtarit
. Mbas një viti të vështirë në aspektin personal, ku erdha me dëshirën më të madhe për të kontribuar për ekipin, por nuk e kuptova kurrë se çfarë ndodhi. Dua të falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur, tifozët e Flamurtarit, “flota kuqezi”, familjen time dhe gjithë shokët e ekipit. Një falënderim edhe për trajnerin Andrea Agostineli, i cili ka dashur të ma prishë karrierën, që kur isha fëmijë me ekipin e Skënderbeut dhe përsëri tani te Flamurtari. Më bëri një lojtar më të fortë dhe me më shumë suksese gjate rrugës. Edhe ky vit ishte një mësim i mirë. Të gjithë jemi kalimtarë, Flamurtari është i përjetshëm. Suksese në Superligë Flamurtari”.